Urrejtja jonë për socialistët

Nga Indrit Vokshi

Me Rudin (Erebara) po diskutonim një natë. Urrejtja jonë për socialistët ka qenë pasuria më e madhe e Sali Berishës.

Po mendoj, ai në bashkëpunim me familjet tona na e kanë futur ketë shiringë qysh kalamaj. Ne ishim brezi i cili drama dhe frustrimi i prindërve tanë prej diktaturës, jeta paksa e zymtë e tyre në diktaturë, i shtyu ata të na fusnin hipotekë te Sali Berisha e PD. Njëlloj si në Mesjete kur familjet i dorëzonin fëmijët te oborret e sundimtarëve me shpresën se duke qenë aty, garancia e mbrojtja ishin më të larta.

Dhe nga kjo urrejtje e jona ka përfituar vetëm ai, vetëm ata, vetëm tarafi i tyre; ketë e dëshmojnë faktet sot, shikoni kush i ka pasuritë, vendimmarrjen, pronat. Shikoni se si ka lulëzuar mardhënia feudale; si dikur, bajraktari e beu kishin misër, kishin monopolin e misrit, fshatari shkonte e lypte misër për të kaluar dimrin, pastaj duhet tia dinte për nder gjithë jetën. Sot vetëm ai e ka monopolin e misrit kah e djathta, askush ska. Sepse ka pasur kujdes preciz që askush tjetër të mos mëkëmbet. Kjo falë urrejtjes tonë, falë gatishmërisë tonë për të dyshuar si tradhëtar secilin që nuk i qëndron vijës së besnikërisë krejt personale, për t’i shërbyer kësaj ndarjeje e për t’i fryrë këtij dallimi artificial.

Socialistët janë shqiptarë si ne. Na është thënë se janë anti-shqiptarë. I bie vetë Sali Berisha ishte anti-shqiptar kur ishte anëtar i Partisë së Punës e Sekretar Partie, pastaj brenda natës u bë pro-shqiptar? Psh, Kastriot Islami është anti-shqiptar kur është me ata, shqiptar kur i shërben Sali Berishës. Ilir Meta kriminel e anti-shqiptar kur ishte në PS, shqiptar e patriot kur u bë me Sali Berishën, madje së fundmi edhe hero dhe i burgosur politik. Ka raste pa fund për ta provuar ketë turp. Kushti e kriteri për tu quajtur shqiptar apo anti-shqiptar është qëndrimi ndaj Sali Berishës? Kjo ka qenë drama e tragjedia e një pjese të ish PD.

Ne sot kemi humbur politikisht. Jemi humbës në të gjitha drejtimet. Nuk na kanë mposhtur socialistët. Mirëpo qytetarisht si shqiptarë kemi fituar diçka të madhe, lirinë për të mos qenë pengje të një urrejtjeje artificiale e cila sna shërben ne, i shërben vetëm një personi për të mbajtur ushtarë e pastaj përmes ushtarëve për të negociuar pazar, ekonomi, leje, pushtet, karriera.

Rreth 200 mijë opozitarë në këto zgjedhje kanë fituar mbi Sali Berishën, jo numerikisht por kanë fituar guximin e lirinë për të mos u kompleksuar prej klithmës e britmës se kush nuk voton Sali Berishën, quhet se u shërben socialistëve anti-shqiptarë. Kanë fituar mbi poshtërsinë për ta kompleksuar e frustruar njeriun te gjëja më e shenjtë, te identiteti kombëtar, te qenia shqiptar. Prirja është që edhe më shumë shqiptarë të çlirohen në vazhdim nga kjo nyje mendore.

Ideologjikisht e si besim sdo pajtohem ndonjëherë me socializmin, pasi mendoj se është dështim, nuk i jep rehati njeriut e nuk e lejon të shpërfaqë më të mirën e tij. Mirëpo kurrë, asnjëherë, nuk do të pajtohem me bolshevizmin e shartuar me tribalizëm e i maskuar pas etiketës “E Djathtë” pa pasur asgjë të djathtë. Shikojeni, nuk iu bindet rregullave që ka miratuar vetë, neneve që i ka shkruar vetë, premtimeve që i ka dhënë vetë. E kjo më kujton një pyetje të konstitucionalistëve: Pse diktaturat kanë kushtetutë kur ata nuk e zbatojnë kushtetutën? E kanë për tu legjitimuar para popullit e para botës, sepse e dinë që njerëzit duan kushtetutë e garanci. Pse partia ka statut kur nuk e zbatojnë statutin? Njëlloj si diktaturat pra, e dinë që njerëzit patën nevojë për statut, patën nevojë për rotacion brenda partisë kur humben zgjedhjet dhe, u premtoi njerëzve atë çfarë ata deshën të dëgjonin, për tu legjitimuar. Tani nuk pyet për atë nen e për atë statut. Çfarë quhet kjo? Demokraci? E djathtë? Aspak. Është bolshevizmi tribal i maskuar pas rregullave të civilizimit politik.

Për ta mbyllur, njerëzit nuk do t’i japin mundësinë askujt që të mbijetojë e të pasurohet duke pasur si armë urrejtjen e tyre për ata që ai na ka këshilluar t’i urrejmë. Do urrejmë kë të duam vetë ose, sdo urrejmë askënd.

Artikulli paraprakNjë ekstremist i djathtë dhe një liberal pro-evropian/ Analiza e DW: Rumania zgjedh mes dy botëve, me pasoja për Evropën
Artikulli tjetërE rëndë/ Shembet muri rrethues i një banese dhe zë poshtë një të mitur, humb jetën 4-vjeçarja