Nga Namir Lapardhaja
E përzier me ideologjinë, urrejtja bëhet e rrezikshme. Ekstremizmi nuk është gjë tjetër vetëm se të besuarit të verbër se të vërtetat e tua janë fundore.
Për 45 vite me radhë Shqipëria ka qenë peng i urrejtjes klasore të një shtrese ndaj një tjetre, për shkak të damkosjes si armik.
Idhujt e rremë tokësorë që frymëzojnë turmat e harlisura, janë rrezik i vazhdueshëm për mbajtjen gjallë të konfliktit që mund të shkojë deri në përplasje.
Bota ka qenë dëshmitare përgjatë historisë se ku e ka çuar njerëzimin urrejta ideologjike, fetare apo racore.
Njëkohësisht, letërsia e madhe e ka paraprirë realitetin, duke e shndërruar qenien në një eksplorues të vetvetes.
Shkrimtari i famshëm grek, Nikos Kazanxaqis, në romanin e tij “Vëllavrasësit” ka në qendër të subjektit ngjarjet në Greqinë e viteve ’40, në kulmin e luftës civile në mes të Kuqve (komunistëve, që luftojnë maleve) dhe të Zinjve (qeverisë së mbështetur nga britanikët dhe amerikanët).
Ngjarjet përqëndrohen në përpjekjet e At Janarios, një prifti të krishterë ortodoksë, që e kupton se nga lufta dhe urrejtja nuk mund të pritet asgjë e mirë.
At Nikodami një prift tjetër i është bashkëngjitur rebelëve në mal dhe, ndërsa është i plagosur, thotë se një botë pa drejtësi, nuk mund të qeveriset, ndaj ai i është bashkuar komunistëve, sepse ka ardhur shpëtimtari i vërtetë, Lenini.
Utopia komuniste ka përfshirë edhe njerëzit e Zotit, të cilët kanë braktisur Perëndinë për ideologjinë e re.
At Janario e vuan luftën vëllavrasëse dhe është i vetmi personazh i ndriçuar, sepse të dyja palët ndërluftuese janë të paditura, në shumicën e tyre analfabetë.
Ata kanë dëgjuar udhëheqësit e tyre dhe i janë bindur verbazi.
Asnjë prej tyre nuk e di se përse luftojnë. Të gjitha ngjarjet udhëhiqen nga mungesa e shpresës dhe nga pafuqia për t’i dhënë fund luftës.
Utopia ideologjike ka përfshirë gjithçka, madje edhe vet djalin e protagonistit kryesor, i cili lufton maleve me të Kuqtë.
At Janario, kur e sheh se lufta nuk po përfundon, merr vet rrezikun për të negociua. Ai jep garancinë se fshati do të nënshtrohet paqësisht, por lufta duhet të ndalojë menjëherë.
Pas debateve të gjata, arrihet në kompromis. Dorëzimi do të bëhet të dielën e Pashkëve.
Prifti duket se e ka kryer misionin e tij, por shumë shpejt e sheh se është gënjyer dhe tradhëtuar.
Komunistët jo vetëm që nuk e mbajnë premtimin, por fillojnë ndëshkimet në masë, duke i thyer të gjithë në besë.
Kur sheh se çfarë po ndodh, ai zgjedh të largohet i zhgënjyer nga fshati, duke premtuar se do të shëtisë në çdo fshat për të treguar pabesinë e tyre.
Për priftin qëllimi i jetës është liria, ndaj ai do të jetojë si i tillë.
Mirëpo, nuk vlen e njëjta gjë për ata që janë mbrujtur me ideologjinë e urrejtjes dhe të luftës klasore.
Është djali i priftit ai që jep urdhër për zjarr në fund të romanit, nga i cili bie i vdekur babai i tij. Sepse për ideologjinë që prodhon verbëri nuk ka kufijë njerëzor, nuk ka arsye, nuk ka dashuri dhe respekt, por ka vetëm urrejtje, ka dhunë, ka linçime, ka vrer…, ka edhe viktima.
Raste të ngjashme nuk janë vetëm subjekte letrare, por ka ndodhur pafund në realitetin shqiptar të para viteve nëntëdhjetë.
Sepse urrejtja të verbon, ideologjia të mbush me mllef dhe nuk të lë të mendosh me mendjen tënde.
Nëse njeriu arrin të mohojë apo, më keq, të vrasë prindin, si pasojë e ideologjisë, do të thotë se ai është i gatshëm të bëjë gjithçka.
Ndaj qenia njerëzore duhet të jetë e kujdesshme, e arsyeshme, të vetëpërmbahet dhe të jetë e kthjellët në mendime dhe në qëndrime.
Gjuha e urrejtjes dhe e anatemimit të atij që nuk mendon në të njëjtën mënyrë, nuk mund të jetë kurrë zgjidhje në një realitet të mbushur me dhunë.
Narrativa që frymëzon dhe prodhon dhunë është e dënueshme nga cilado palë apo grupim që mund të vijë.
Nëse nuk arrijmë të ngrihemi mbi vetveten, nëse nuk e shohim tjetrin si qenie njerëzore, por si armik të betuar, urrejtja mund të na verbojë.