USAID: Investitorët e huaj duan garanci që të investojnë

Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia u bëri dje thirrje partive politike shqiptare të gjejnë mirëkuptimin për të miratuar së bashku reformën në sistemin e drejtësisë. Melia tha se këtë javë agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID filloi në Shqipëri një projekt të ri për reformën në sistemin e drejtësisë, e cila është e rëndësishme për modernizimin e këtij sektori.
“Projekti synon të përmirësojë administrimin e gjykatave, efektshmërinë e tyre dhe të lehtësojë rastet e prapambetura”, tha zoti Melia. Ndërkohë në Parlament partitë po negociojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. “Dua të kurajoj partitë politike që të punojnë drejt arritjes së një mirëkuptimi, tha Melia, sepse reforma në drejtësi kërkon mbështetje të gjerë. Kjo reformë e modernizon drejtësinë dhe USAID po bën pjesën e vet, duke sjellë ekspertë ndërkombëtarë që të ndihmojnë në disa nga aspektet administrative të procesit”, tha ai.
Përfaqësuesi i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia, i bëri këto komente në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri gjatë një takimi mbi të ardhmen e bujqësisë shqiptare. Në këtë fushë projekti Agro-Kapital i agjencisë po mbështet prej 3 vjetësh me 14.8 milionë USD shumë fermerë dhe biznese përmes Creative Business Solutions (CBS). Edhe në këtë tryezë konsultative mbi ekonominë dhe bujqësinë, Melia gjeti rastin të theksojë nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë.
“Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Reforma për sektorin e drejtësisë, që po zhvillohet aktualisht në Parlament është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurtë, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit”, tha Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, paraqiti në Tiranë një projekt 9 milionë dollarësh për sektorin e drejtësisë. Melia u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të ecin me miratimin e Reformës në Drejtësi, duke i quajtur jetike ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara. Ai tha se vonesat dëmtojnë zhvillimin e vendit.
Melia theksoi angazhimin e plotë të qeverisë amerikane mbi përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek sistemi gjyqësori. USAID-i do t’u ofrojë mbështetje edhe organizatave të Shoqërisë Civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e Reformës në Drejtësi, në mënyrë që ky proces reformash të fitojë qëndrueshmëri dhe legjitimitet para publikut.

Dhoma Amerikane e Tregtisë propozime për paketën fiskale

Dhoma Amerikane e Tregtisë po liston ankesat që kanë bizneset për klimën e investimeve në vend, të cilat do të jenë për bazë për propozimet që do t’i bëhen Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2017. Në një intervistë për “Ora News”, presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crowford rendit Reformën në Drejtësi, si kushtin e parë që duhet të përmbushë Shqipëria për të pasur investitorë të huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë po mbledh të gjitha ankesat e bizneseve të saj për problemet me të cilat ata hasen çdo ditë, që nga taksat e deri te procedurat administrative. Një listë shqetësimesh që përveçse do të bëhen publike brenda muajit, do t’i dërgohen qeverisë për zgjidhje në formën e kërkesave për paketën fiskale 2017.
“Ne do të fokusohemi sipas mendimeve të anëtarëve tanë. Kështu më pas është publikuar sondazhi që kemi dhe nëse ata thonë që taksat janë në krye, do të fokusohemi atje. Nëse ata thonë se është diçka tjetër do të fokusohemi atje. Nuk është se një është më e rëndësishëm se të tjerat, sepse ka shumë që janë të rëndësishëm”, tha Crowford. Dhoma Amerikane e Tregtisë ripërsëriti  apelin për miratimin e Reformës në Drejtësi si kusht themelor që Shqipëria të ketë investitorë të huaj.
“Nëse ka përcaktim që vetëm me lekë mund të fitosh një gjyq kjo do të thotë se këtu në Shqipëri është e vështirë për të investuar, sepse je i pambrojtur. Besoj se këtë që e ka marrë përsipër ambasada amerikane dhe ambasadorët e Evropës ne si Dhomë kemi rënë dakord që të mbështesim ambasadën në procesin që janë”, u shpreh Crowford.
Reforma në Drejtësi po kërkohet me ngulm edhe nga shoqatat e tjera  të biznesit, vendase dhe të huaja që kërkojnë garanci për zbatimin e kontratave dhe funksionimin e ligjit, elementë këta thelbësore për të pasur një klimë të favorshme për të bërë biznes.

Arben Shahini

Exit mobile version