Moria e madhe e çështjeve civile dhe administrative me të cilat po përballet shteti e ka detyruar që të ndërmarrë hapa për të ndryshuar mbrojtjen. Çdo ministri do të ketë nga një zyrë përfaqësimi të Avokaturës së Shtetit, ndërsa Ministria e Financave, ajo e Energjisë dhe Industrisë dhe e Zhvillimit Urban do të kenë më shumë, kjo për shkak të numrit më të madh të çështjeve që kanë. Ndryshimet ligjore pritet të diskutohen nga ligjvënësit. “Armata” do të jetë nën varësinë direkte të kreut të qeverisë. Qëllimi është të rritet niveli i përfaqësimit të avokaturës, për t’i dhënë autoritet dhe pavarësi më të madhe, si dhe për të shmangur konfliktet.
Struktura e re do të financohet nga buxheti i shtetit dhe jo më nga Ministria e Drejtësisë.
Por, të drejtën për të pasur një avokat shteti do ta ketë edhe pushteti vendor, duke u konsideruar si “përfaqësues ligjor” pa qenë e nevojshme që të duan autorizim.
Për ridimensionimin e Avokaturës së Shtetit do të krijohet edhe një fond i veçantë, i cili do të përdoret për shpërblimin e posaçëm për avokatët e shtetit, në çështjet gjyqësore të veçanta, të vështira dhe me interes të madh ekonomik dhe financiar.
Ky buxhet do të jetë në masën 10% të buxhetit të Avokaturës së Shtetit. Klasifikimi i këtyre çështjeve, kriteret, mënyra dhe procedurat e përdorimit të këtyre të ardhurave, përfshirë shpërblimin e avokatëve të shtetit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky parim është i sanksionuar edhe në ligjin që është aktualisht në fuqi, por nuk është zbatuar.