Ushtria e Venezuelës bllokon hyrjen e ndihmave humanitare

Zyrtarët ushtarakë në Venezuelë kanë bllokuar një urë në kufirin me Kolumbinë, për të parandaluar hyrjen e ndihmave humanitare të martën, teksa lideri opozitar, Huan Guaido është duke sfiduar autoritetetin e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.
Asambleja Kombëtare, e cila dominohet nga opozitarët, ka paralajmëruar forcat e armatosura, që përbëjnë bazën e fuqisë së Maduros, që të mos kalojnë “linjat e kuqe” duke bllokuar ndihmat.
Guaido, i cili ka shpallur veten president të përkohshëm më 23 janar, pretendon që më shumë se 300,000 persona do të përballen me vdekje nëse nuk pranojnë ndihma.
“E dini se ekziston një linjë e kuqe dhe e dini mirë se ajo është limiti, e dini se ilaçet dhe ushqimi janë ai limit”, ka thënë ligjvënësi Miguel Pizarro në një mesazh drejtuar ushtrisë.
Mirëpo Maduro ka pretenduar se ndihma humanitare do jetë shenjë e pushtimit të Shteteve të Bashkuara dhe ka insistuar se “askush nuk do të hyjë, asnjë edhe një ushtar pushtues”.
Maduro, 56 vjeçar ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara për nxitje të puçit.
Shtetet e Bashkuara në anën tjetër nuk kanë përjashtuar mundësinë e intervenimit në Venezuelë dhe ka qenë vendi i parë që ka njohur Guaidon si president të përkohshëm, i përcjellur edhe nga dhjetëra shtete të Amerikës Latine.
Përveç tyre, edhe Britania, Franca, Gjermania dhe Spanja kanë qenë në mesin e 20 vendeve të BE-së, që janë rreshtuar përkrah Guaidos, pasi Maduro ka injoruar kërkesat e bllokut evropian për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Maduro në anën tjetër gëzon përkrahjen e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.
Venezuela është përballur me krizë ekonomike për vite të tëra, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesave themelore për ushqim dhe ilaçe.
Kjo gjendje ka rezultuar me shpërngulje të mijëra personave nga ky shtet.
Maduro është betuar për mandatin e dytë, ndonëse procesi zgjedhor është bojkotuar nga liderët opozitarë.

Artikulli paraprakNoka-Lleshajt: Po flet me gjuhë horrash dhe bandash, mos guxo të fyesh kolegët deputetë!
Artikulli tjetërMe këto gabime zhdukni efektet pozitive të kafes çdo ditë