Nga Elton Qyno
Një skandal vjedhjeje ka përfshirë Uzinën e armatimit në Poliçan. Nuk bëhet fjalë për vjedhje skrapi, siç gjerësisht u raportua fillimisht, por është vjedhur lënda e parë që shërben për prodhimin e fishekëve dhe aksesorëve të tjerë të prodhimit të armëve.
…Vjedhja, rezulton të jetë kryer pikërisht nga punonjës të këtij kombinati, ku dyshimet e forta dhe përgjegjësia bien mbi ish-drejtorin e Kombinatit, Erjon Zylyftari, përgjegjësit material Gazmend Mahmutaj, Fatos Hasa, shefen e financës dhe Këshillin Drejtues, të kësaj uzine sekrete.
Rasti i kësaj situate të ndodhur në një Objekt të Rëndësisë së Veçantë (ORV), siç është Kombinati Mekanik Poliçan, përbën skandalin e rradhës që përfshin Ushtrinë Shqipare, pasi tonelata me lingota Bakri, Bronxi F1 dhe Tunxhi F1, të cilat shërbejnë si lënde e parë për prodhimin e fishekëve, gëzhojave dhe aksesorëve të tjerë të armatimit, janë vjedhur mes syrit të Policisë Ushtarake, që ka në ruajtje godinat e kombinatit.
Çështja bëhet akoma dhe më e ndërlikuar, pasi në inventarizimin e zërave në magazinën e këtij kombinati, është konstatuar dhe mungesa e një numri pistoletash të prodhuara pikërisht në këtë Kombinat Armatimi, por nuk është qartësuar në raport se sa është sasia e munguar.Kjo situatë e krijuar brenda mureve të Uzinës, ka prodhuar dhe një çështje penale në Prokurorinë e Beratit me Nr. 468 për “Shpërdorim detyre”, ku së fundi u paraqit për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherësh dhe koordinatori politik i PS në Qarkun e Beratit.