12,5 milionë euro, kaq i kushtoi ekipit të Austin kartoni i Myrto Uzunit, me “bomberi” kuqezi që vendos menjëherë një rekord në klubin e MLS si transferimi më i shtrenjtë në histori. Me këtë shifër, Uzuni është bën pjesë në “Top10”, si një nga 10-të blerjet më të shtrenjta në historinë e kampionatit në SHBA. Uzuni firmosi një kontratë deri në 2027, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit, deri në 2028.
Sulmuesi kuqezi do të mbajë të veshur fanellën me numrin 10-të. Me anë të një video mesazhi, drejtuar tifozëve, Uzuni theksoi se në SHBA, tek ekipi i Austin, ka ardhur për të shkruar historinë, për të vendosur rekorde:
“Ky ekip përmbush ambicien time për të pasur gjithmonë sukses, një klub me mentalitet fituesi. Mund t’u them tifozëve të Austin se do të bëj gjithçka për të shënuar gola, për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave. Unë po vij këtu për të thyer rekorde”, u shpreh Uzuni.
Përpara se të bëhej zyrtare kalimi i tij tek Austin, Uzuni iu drejtuar edhe tifozëve të Granada-s, skuadër ku shkoi emrin e tij me germa të arta, ku në tre vite u shndërrua në golashënuesin e huaj më të mirë në historinë e klubit. Në fjalën e tij, Uzuni shtoi se ka sakrifikuar shumë për këtë ekip spanjoll, aq sa humbi edhe “Euro2024”.