Valbona Maloku i përgjigjet hetuesit Fatmir Xhafa: Gati të përballem me ty

Rexhep POLISI
Valbona Maloku, 51-vjeçarja nga Kruja e cila pak kohë më parë denoncoi publikisht torturat në Hetuesinë e Krujës të ish–hetuesit të diktaturës, Fatmir Xhafa ka reaguar dje pas intervistës të dhënë nga Xhafa në “Opinion”, ku ai tentoi të mashtrojë opinionin se njerëzit që e kanë akuzuar atë për torturat në kohën e diktaturës kanë qenë të nxitur dhe të paguar dhe se këtë ai e kishte të dokumentuar edhe nga një noter gjerman.
Zonja Valbona Maloku ka reaguar menjëherë, pasi ka dëgjuar mashtrimin tipik të një hetuesi të diktaturës në studion e “Opinion”. Ajo i ka dërguar menjëherë mesazh gazetarit Fevziu, ku i konfirmonte torturat dhe se ishte e gatshme të përballej me hetuesin e saj. Fevziu i ka thënë Malokut pas emisionit se nuk kishte mundur të lexonte mesazhin e saj gjatë emisionit, pasi nuk e kishte parë.

Reagimi i Xhafës
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa gjatë intervistës në “Opinion” të enjten në mbrëmje foli edhe për akuzat që ka ngritur një shtetase shqiptare që jeton në Gjermani se ai ka ushtruar dhunë ndaj saj gjatë kohës që punonte si hetues në Krujë. I pyetur nga Blendi Fevziu për këto akuza, Xhafa u shpreh se, ka dy dokumente që vërtetojnë se akuzat e saj janë paguar nga persona të caktuar.
“Disponoj dy dokumente dhe të gjitha këto janë bërë të nxitura dhe të paguara nga këta persona dhe kjo e deklaruar para noterit gjerman. Nuk ka ndodhur kurrë që unë të kem ushtruar dhunë, kurrë. Nuk kam shqyrtuar kurrë çështje politike. Aty kam punuar vetëm 1 vit”, u shpreh Xhafa.
Ne iu drejtuam zonjës Valbona Maloku për të marrë një prononcim të saj për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Valbona u shpreh për Gazetën “RD” se nuk ka asnjë të vërtetë në ato që deklaroi Xhafa në emisionin“Opinion”.

Intervista për “RD” me znj.Valbona Maloku
-Zonja Valbona, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa u shpreh gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ju jeni paguar nga persona të caktuar për të deklaruar se jeni torturuar në hetuesinë e Krujës, kur Xhafa ishte hetues. Xhafa tha më tej se, ka dy dokumente ku tregohet se akuzat janë bërë të nxitura dhe të paguara nga këta persona dhe kjo, sipas tij, e deklaruar para noterit gjerman. A mund të na thoni si qëndron e vërteta?
Kush më ka paguar mua, ore? Kurrkush! E dëgjova mbrëmë në televizion dhe i shkruajta menjëherë Blendi Fevziut për t’i thënë në sy, por e pa me vonesë Blendi dhe nuk munda të flas në televizion. Të gjitha çfarë kam thënë ndaj tij janë të vërteta. Nuk kam nevojë me rrejt.
-A jeni e gatshme të përballeni me akuzat e Xhafës?
Po, i dal përballë kur të dojë. Jam grua, por i kam muhabetet si burrat. S’kam nevojë për para. As s’më ka paguar kërrkush, as më ka nxitur kush, veç kam thënë të vërtetat dhe ja them edhe në sy.Prandaj i kërkova Blendi Fevziut mbrëmë që të flisja përballë tij. Kam thënë veç të vërtetat, për Zotin!

Përse gënjeu Fatmir Xhafa
Fatmir Xhafa gënjeu, sepse ka turp të përballet me të shkuarën prej inkuizitori. Ai e di se mund të jetë një rast unikal në Europën e sotme kur një individ, i cili ka shërbyer si hetuesi i diktaturës të mund të ngjitet në postin e ministrit të Brendshëm në të njëjtën kohë kur drejtësia italiane ka një urdhër ekstradimi për të vëllanë e tij për trafikun e drogës. Xhafa gënjeu dhe mënyra se si ai e mbështolli mashtrimin e ri publik tregoi se ai mbetet njeriu i fabrikimit të kauzave njësoj si në kohën e diktaturës edhe sot që drejton Ministrinë e Brendshme. Ai fabrikoi dy akuza të reja ndaj denoncuesve të torturave të tij. Fabrikimi i parë kishte të bënte me deklaratën se denoncuesit e tij ishin nxitur nga të tjerë, duke lënë të kuptohet këtu armikun e brendshëm dhe fabrikimi i akuzës së dytë ndaj denoncuesve të tij ishte se ata ishin të paguar për të dëshmuar të vërtetën e krimeve të tij në kohën e diktaturës. Dhe për t’i bërë më të besueshme fabrikimet e tij për hetuesit e diktaturës i veshi atyre edhe emrin e një noteri fantazëm në Gjermani. Kur Fevziu i kërkoi që ti sillte dokumentat që kishte nga noteri gjerman që sipas Xhafës provonin se denoncuesit e tij ishin të paguar, ai heshti për një moment dhe më pas deklaroi se do t’i bëjë publike kur të vendosë vetë.

Artikulli paraprakValbona Maloku: Fatmir Xhafa na torturonte dhe na kërkonte florinjtë
Artikulli tjetërBerisha: Endrra ime, të luftoja për Kosovë dhe jo politika