Valdet Rama drejt largimit nga Munchen 1860

Bundesliga 2 ka dhënë verdiktet klryesore edhe pse mbetet ende edhe një javë për t’u luajtur. Munchen 1860 ishte një prej skuadrave që gjatë gjithë sezonit luftoi për mbijetesën, duke arritur të marrë konfirmimin zyrtar të qëndrimit vetëm në javën e 33-të. Skuadra bavareze ka hasur shumë vështirësi ekonomike gjatë viteve të fundit, duke mos gjetur stabilitet, madje drejtuesit janë ende të paqartë edhe për të ardhmen.
Në klubin gjerman aktivizohet edhe ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Valdet Rama. 28-vjeçari i lindur në Mitrovicë është aktivizuar në 15 takime, por nuk ka mundur të shënojë asnjë gol, duke zhvilluar një sezon zhgënjyes. Pavarësisht nivelit të lartë teknik që zotëron, trajneri Bierofka ka preferuar ta aktivizojë shumë pak shqiptarin, i cili nuk po gjen hapësira në këtë skuadër. I transferuar në vitin 2014 nga Real Valadollid, Rama u cilësua fillimisht si një nga goditjet më të mëdha të klubit bavarez, por tashmë pas 2 sezoneve në Mynih, ai po bën gati valixhet për t’u larguar.
Në një shkrim të gjatë, faqja e specializuar gjermane tz.de përforcon këtë ide, duke theksuar se Rama është shumë pranë largimit. Drejtori sportiv, Oliver Kreuzer bën me dije se do të ketë ndryshime të mëdha për sezonin e ri dhe në listën e emrave që pritet t’i japin lamtumirën skuadrës është edhe Rama. “Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë Ramën edhe për një sezon tjetër”, thekson drejtori sportiv.

Artikulli paraprakHyka në formacionin e javës në Zvicër
Artikulli tjetërEtrit Berisha, objektiv i Torinos në Serinë A