Valdet Rama është shumë pranë firmës me skuadrën turke të Balikesirspor. Disa ditë më parë u përfol për një afrim të mundshëm të sulmuesit shqiptar me ekipin nga Bosfori, por Rama kërkoi kohë për ta studiuar ofertën pas largimit me parametra zero nga Munchen 1860. Gazeta “Fanatik” bën me dije se ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ndodhet në qytetin turk, ku ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit dhe palët kanë arritur një marrëveshje që do të bëhet publike gjatë orëve të ardhshme. Zv/presidenti i klubit, Aaron Atabay shprehet për gazetën në fjalë se afrimi i Ramës do të rrisë ndjeshëm cilësinë e skuadrës që synon të rikthehet në Superligën turke. Ai shton se, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe pritet që të hedhin firmën në një kontratë me afat 2-vjeçar. Balikesirspor luan në Ligën e Parë turke. Pasi siguroi ngjitjen mes më të mirëve në vitin 2014, ekipi u rikthye në ligën inferiore vetëm një sezon më pas. Në datën 1 korrik, Rama u largua zyrtarisht nga klubi gjerman, ku u aktivizua për dy sezone, por dëmtimet e shumta i eklipsuan paraqitjet e tij në Bundesliga 2.