Valdet Rama zgjedh Lindjen e Largët për të vazhduar karrierën. Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare është transferuar zyrtarisht në kampionatin kinez pasi ka firmosur me klubin e Superligës së këtij vendi Yanbian Funde. Pasi i përfundoi kontrata me Wurzburger Kickers, skuadër që nuk arriti të siguronte dot mbijetesën në Bundesligën e dytë gjermane, Valdet Rama në moshën 29-vjeçare ka zgjedhur milionat që i kanë ofruar nga Lindja e Largët kundrejt ofertave për të qëndruar në Europë.
Pas eksperiencave në Spanjë me Valladolid dhe në Bundesligën e dytë gjermane me Munich 1860 dhe Wurzburger Kickers, Valdet Rama do të jetë pjesë e Yanbian Funde për dy vitet e ardhshme. Pas 16 javëve kampionat Yanbian Funde pozicionohet në vendin e fundit të Superligës kineze në kuotën e 10 pikëve dhe drejtuesit e këtij klubi afruan në skuadër Valdet Ramën pikërisht me synimin që mesfushori shqiptar ta ndihmojë skuadrën me paraqitjet e tij në fushë për të siguruar qëndrimin në elitë. Në sezonin e fundit Valdet Rama zhvilloi në total 28 ndeshje me Wurzburger Kickers në kampionat duke realizuar dhe 2 gola.