Valencia konfirmoi emërimin në stol të Marcelino Garcia Toral, me trajnerin që firmosi kontratë 2-vjeçare. Drejtuesi i ri i stolit do të zëvendësojë Voro-n në fund të kampionatit, me Los Che që njoftuan se prezantimi zyrtar do të bëhet menjëherë pas mbylljes së këtij sezoni. Menaxheri i Marcelino, Eugenio Botas u takua gjatë javës së kaluar me klubin e La Liga-s, ndërsa mediat spanjolle zbuluan se tekniku 51-vjeçar refuzoi ofertat nga gjigantët e Serisë A, Inter dhe Roma për të vazhduar karrierën në “Mestalla”.
Me një karrierë si futbollist, ku ka luajtur për rivalët e qytetit të Valencia, Levante, Marcelino Garcia Toral u shkarkua nga Villarreali në fillim të këtij sezoni. Valencia tentoi prej shtatorit 2016 që ta emëronte në krye të stolit, por lëvizja nuk u realizua për shkak të rregullores që nuk i lejojnë trajnerët në La Liga të punojnë në dy skuadra të ndryshme brenda të njëjtit sezon.
Kandidatë për stolin e Valencias për sezonin e ri dhe mes alternativave të shqyrtuara nga presidenti i klubit, Peter Lim ishin edhe trajneri i Las Palmas, Quique Setien dhe drejtuesi i Celta-s, Eduardo Berizzo. Me një karrierë edhe në përfaqësueset spanjolle të moshave, Marcelino ka drejtuar tetë skuadra në kampionatin spanjoll, mes të cilave edhe Sporting Gijon, Real Zaragoza dhe Sevilla.