Valero nënshkruan për Interin

Zyrtare, Borja Valero vishet zikaltër. Ish-mesfushori i Fiorentinës bashkohet me Interin që blen kartonin e spanjollit nga klubi toskan. Lajmin e bën të ditur Fiorentina në faqen zyrtare që konfirmon shitjen përfundimtare të kartonit të lojtarit. 32-vjeçari iu nënshtrua të hënën paradite vizitave mjekësore në Milano dhe më pas u bashkua me skuadrën e tij të re në kompleksin stërvitor në Riscone di Brunico. Marrëveshja është finalizuar për rreth 5 milionë euro dhe Interi nuk e pati aspak të vështirë finalizimin duke parë edhe dëshirën e lojtarit për të ndryshuar ambient. Disa ditë më parë ishte vetë lojtari iberik që i kërkoi klubit toskan largimin për t’u bashkuar me Interin ku synon të marrë çelësat e mesfushës zikaltër. Deri në këto momente, Valero është afrimi më i bujshëm në radhët e Interit që ka premtuar edhe disa goditje të mëdha në merkato për t’i servirur trajnerit Spalleti një skuadër në gjendje për të luftuar me favoritët e Serie A, Juventus, Napoli dhe Roma.
Vazhdon telenovela Ivan Perisiç për transferimin në Premier League. Sipas mediave angleze, Interi dhe Manchester United nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët përsa i takon shumës së kartonit të futbollistit, pasi diferenca mes kërkesës dhe ofertës është 9 milionë paund. “Djajtë e kuq” nuk kanë ndërmend të shpenzojnë më shumë se 40 milionë paund për kartonin e kroatit, ndërsa zikaltrit nuk dëshirojnë ta lënë të lirë lojtarin pa arkëtuar të paktën 48 milionë paund.
Me Biglian drejt largimit, drejtuesit e Lazios janë vënë në ndjekje të mesfushorit të Chelsea, Mario Pasaliç, që sezonin e kaluar ishte i huazuar te Milani. Pavarësisht performancës së mirë me kuqezinjtë, klubi nga “Milanello” nuk ka ndërmend ta blejë përfundimisht kartonin e futbollistit. Kështu rruga e bardhekaltërve për të arritur te 22-vjeçari është thjeshtësuar dhe drejtori sportiv, Igli Tare po punon për ta marrë futbollistin në formë huazimi.
Roma vazhdon të kërkojë përforcime për sezonin e ri. Verdhekuqtë kanë nisur sërish bisedimet me skuadrën e Sassuolos përsa i takon Gregoire Defrel. 26-vjeçari është objektivi kryesor i kryeqytetasve për repartin e avancuar dhe për të arritur te kartoni i tij, drejtuesit e klubit nga “Trigoria” kanë vendosur të rrisin ofertën nga 16 milionë euro plus 4 milionë bonuse në 20 milionë euro neto. Tashmë çdo gjë varet nga përgjigjja që do të japin drejtuesit e Sassuolos.

Artikulli paraprakMatiç, alternativa e re e Interit
Artikulli tjetërE turpshme, qeveria shqiptare dëmton prodhuesit e Kosovës