Vallëzimi i fundit i Sali Berishës

Nga Rajmonda Basha

Heqja e mandatit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kjo ka qenë kryefjala e të enjtes së 21 dhjetorit e cila u shoqërua me tension dhe kaos brenda Parlamentit.

Seanca e djeshme plenare do të shkruhet në histori, pasi për vetëm pesë minuta (kohë rekord) iu hoq imuniteti Berishës, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Edhe dokumenti zyrtar si përgjigje ndaj SPAK është hartuar mjaft shpejt, ku për vetëm dy orë është bërë dërgimi i tij.

Në dokument, vërehet se pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Parlamenti e ka miratuar atë, duke i hequr Berishës imunitetin që i jep statusi i deputetit dhe duke i hapur rrugë veprimit të mëtejshëm të SPAK.

Po ashtu, bashkëngjitur me dokumentin, janë dërguar pranë SPAK edhe raportet rekomanduese – të deputetëve të shumicës dhe të Enkelejd Alibeajt – të vendosur pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Pas kësaj, Sali Berisha mund të arrestohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Dhe, pas një dite të gjatë, për Berishën më së shumti, ky i fundit në mbrëmje mblodhi Kryesinë për të ndarë disa detyra.

Nga protesta para Gjykatës së Lartë deri te mbledhja e Këshillit Kombëtar të grupimit të tij dhe atij të deputetit Gazment Bardhi.

Madje ai theksoi se “asnjë vendim i Gjykatës nuk mund të realizojë ëndrrat e kryeministrit Edi Rama”.

Megjithatë, për analistët politikë në Shqipëri situata e krijuar ka disa domethënie të ndryshme.

Skënder Minxhozi theksoi se kjo ditë shënon një kthesë të madhe në politikën shqiptare, por edhe në shoqëri.

“Ndodhemi në një situatë ku drejtësia e re guxon të godasë figurën më të madhe politike në tranzicionin shqiptar. Një figurë shumë komplekse që e sheh veten në fund të karrierës së tij, i izoluar ndërkombëtarisht, por edhe me probleme me drejtësinë. Një situatë që do të hapte një lojë të madhe me imunitetin e elitës së politikës në Shqipëri, nëse goditet siç u godit Berisha, këtej e tutje janë pa imunitetin historik që drejtësia u kishte dhënë”, ravijëzoi ai.

Ndër të tjera, ai tha se “sot e gjithë klasa politike shqiptare e sheh veten të zbuluar përballë një hetimi çfarëdo të drejtësisë”.

Nga ana tjetër për Artur Zhejin, për herë të parë ish-kryeministri ndjehet i mundur nga shteti.

“Është një person që me klanin e vet grupin e vet ka mundur shtetin sa herë ballafaqohet me të. Është hera e parë që Berisha ndjehet i mundur nga shteti. Të mundësh Berishën, me non grata nga SHBA, nga BE nga Britania e Madhe, është bërë e një aleancë e madhe për ta nxjerrë nga politika. Beteja ka qenë e pabarabartë, e humbi betejën. Shqipëria duhet të ketë sa më pak politikanë si ky në të ardhmen”, tha analisti.

Pak a shumë në të njëjtën linjë është Minxhozi ku thekson se Berisha ka hyrë në titrat e fundit të filmit të karrierës së tij politike dhe me arrestimin e tij nuk mund të prodhojë një “hero” nga vetja, pasi është braktisur nga të gjithë.

“Berisha nuk mund të prodhojë nga vetja e tij një “hero” me një arrestim, sepse nuk ka kohë. Nuk ka mbështetje popullore të caktuar dhe të mund të shtohet gjatë rrugës për të prodhuar në politikan që me anë të arrestit përfiton diçka. Berisha me këtë arrestim izolohet edhe më tej dhe fiton ideja në fund të ditës se ky politikan është te titrat e fundit të filmit të tij dhe karrierës së tij, nëse mund ta përdorim si metaforë”, tha ai.

Se çfarë do ndodhë pritet të shihet në orët në vijim. Siç duket Berisha nuk “do dorëzohet”, por edhe SPAK-u nuk do bëjë hapa pas…

Exit mobile version