Trajneri Ernesto Valverde beson se Lionel Messi bëri mjaftueshëm në kthimin e tij në skuadrën e Barcelonës mbrëmë, gjatë barazimit pa gola në ndeshjen kundër Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Lionel Messi e bëri paraqitjen e tij të parë për sezonin 2019/20 pasi u rikuperua nga një lëndim në kohë për të hyrë në lojë nga stoli në ndeshjen e Barcelonës në Gjermani, kundër Dortmundit, në kuadër të Grupit F.
Kapiteni i Barcelonës e kishte nisur ndeshjen nga banka rezervë, mirëpo hyri në lojë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes kundër Dortmundit. Përkundër që nuk luajti për kohë të gjatë, rreth 30 minuta, Valverde beson se argjentinasi bëri mjaftueshëm.
“Ai është si cilido lojtar tjetër që nuk ka luajtur në parasezon. Ai është detyruar të luajë në një lojë me shpejtësi të madhe, që kishte filluar më parë, dhe e gjitha kjo pa asnjë përgatitje”, u shpreh Valverde.
“Këto janë 30 minutat e tij të para. Ai ka bërë mjaftueshëm. Në këtë ndeshje edhe Luis Suarezi e luajti ndeshjen e tij të parë të plotë të këtij sezoni”.
Barcelona arriti ta marrë një pikë nga kjo ndeshje falë portierit Marc-Andre ter Stegen, i cili e priti goditjen e Marco Reusit nga pika e penalltisë, pak momente para se Messi të inkuadrohej në lojë.