Van Basten në zyrat e FIFA-s, Infantino: Është vetë futbolli!

Nga roli i trajnerit në zyrat e FIFA-s. Nis zyrtarisht karriera e Marco van Basten në qeverinë e futbollit botëror. Holandezi është emëruar administratori i ri i deleguar për zhvillimin teknik. Ish-sulmuesi i Ajax-it të Amsterdamit dhe Milanit, do të merret me inovacionin teknologjik në fushën e arbitrimit.
“Besimi që më është dhënë për këtë rol të ri është një nder i madh për mua. Shpresoj të jap kontributin tim në këtë detyrë të re. Jam krenar për faktin që mund të punoj në FIFA, në shtëpinë e futbollit botëror”, u shpreh Van Basten.
Në futboll mbetet tema e nxehtë përdorimi i moviolës në fushë. Për 51-vjeçarin është shumë e rëndësishme që të mos preken emocionet që të dhuron futbolli. “Futbolli është një lojë spektakolare dhe duhet të mbetet i tillë në të gjitha kuptimet. Për këtë arsye do të punoj për ta zhvilluar nga pikëpamja teknike, që të ketë gjithmonë emocione të reja”, tha ai.
Mjaft i kënaqur për nisjen e një bashkëpunimi me holandezin u shfaq edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u shpreh se Marco van Basten është vetë futbolli. Diskutimet me të gjatë muajve të fundit e kanë bindur kreun e FIFA-s që ai mbetet një pasuri fantastike për institucionin që drejton. Infantino shtoi më tej se Van Basten është ekspert përveçse një legjendë e futbollit.

Exit mobile version