Virgil van Dijku e ka pranuar se nuk i shikon ndeshjet e rivalit për titullin e kampionit të Premierligës, Manchester Cityt, pasi që pretendon se skuadra e Jurgen Kloppit s’ka asgjë për të humbur në këtë fazë.
Pasi që e humbën titullin e kampionit të Anglisë vetëm për një pikë sezonin e kaluar, djemtë e Jurgen Kloppit tani janë të përkushtuar të shkojnë një hap më tutje dhe ta marrin trofeun këtë sezon.
Liverpooli e ka nisur sezonin në mënyrë të përsosur për ta arritur këtë qëllim, pasi që e mbajnë kreun në tabelë me një epërsi prej tetë pikësh, pas vetëm tetë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani.
Megjithatë, “The Reds” e kishin pasur një epërsi prej shtatë pikësh edhe gjatë sezonit të kaluar, mirëpo në fund e shpërdoruan atë dhe ia dhanë Manchester Cityt titullin e kampionit.
“Nuk mendoj se kemi diçka për të humbur tani. Manchester City është kampion, ata po e mbrojnë titullin dhe ne duam ta fitojmë atë. Sipas këndvështrimit tim, ne vetëm duhet të shkojmë ta marrim atë”, ka thënë Van Dijku.
“Presioni po bëhet edhe më i madh, por kjo vjen nga mediat. Ata duan ta shtojnë presionin te ne dhe kjo është diçka me të cilën duhet të përballemi. Nuk më pengon sepse nuk po mendoj për atë që e thonë njerëzit e tjerë. Unë vetëm dua ta fitoj çdo ndeshje që e kam përpara”.
“Ne duam ta shijojmë këtë moment kur jemi në kreun e tabelës së Premierligës dhe duam të jemi plot me vetëbesim, veçanërisht për shkak të mënyrës se si i kemi marrë këto pikë, pasi që disa herë nuk kemi qenë në formën tonë më të mirë, por prapëseprapë i kemi marrë pikët”.
“Kanë mbetur edhe shumë ndeshje deri në fund, nuk mund të mendojmë tani për titullin e kampionit – nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk duhet dhe nuk do ta bëjmë, por është situatë e mirë për të qenë”.
“Unë nuk i shikoj ndeshjet e Manchester Cityt por kam shokë dhe familjarë që më shkruajnë mesazhe, veçanërisht pas ndeshjes kundër Wolves [që City e humbi 2:0]. Kjo është pjesë e jetës, por ne e kemi mësuar nga viti i kaluar se nuk duhet t’i shikojmë të tjerët deri në fund të sezonit”.
Uria për të fituar trofe tani është edhe më e madhe sesa para se ta fitonim Ligën e Kampionëve. Të gjithë duam ta përjetojmë atë sërish. Ishte një natë aq fantastike dhe gjithçka filloi me atë ndeshjen kundër Barcelonës në shtëpi”.
Liverpooli synon ta fitojë titullin e parë të kampionit të Anglisë që nga viti 1990 dhe Van Dijku është i përqendruar t’i ndihmojë skuadrës së tij ta arrijë këtë qëllim.