Louis van Gaal ka lëshuar një tjetër sulm thumbues ndaj Manchester United, duke insistuar në faktin se është trajtuar në mënyrë të tmerrshme nga klubi i “Djajve të Kuq”. Në vend të holandezit që u largua me kokën lart pas fitores së FA Cup 2016, u emërua portugezi Jose Mourinho, që pak muaj më parë ishte shkarkuar nga Chelsea. Në vijim u zbuluan prapaskenat, sipas të cilave “Special One” kishte patur kontakte me United që 6 muaj përpara emërimit në vend të Van Gaal.
“Mendoj se mënyra me të cilën më trajtoi Manchester United ishte e tmerrshme dhe e pabesë. Kam patur shumë kërkesa pune pasi u largova nga United. Përfaqësuesja belge dëshironte që të bëhesha trajneri i tyre. Por fatkeqësisht nuk munda të pranoj asnjë vend pune për një vit, për shkak të kushteve të përcaktuara nga Manchester United në kontratë. Kështu humba rastin në Belgjikë, mes shanseve të tjera, pavarësisht se mendoja që do të ishte një sfidë fantastike”, u shpreh Van Gaal.
“Jam penduar që e lashë të më ikte ai shans. Në aspektin e termave sportivë ishte një idiotsi. Por, në atë periudhë mendoja vetëm për mënyrën se si të hakmerresha ndaj United dhe t’i detyroja që të paguanin çdo qindarkë nga shuma e përcaktuar në kontratë. Krejt e kundërta ndodhi kur u largova nga Barcelona. Presidenti i atëhershëm Josep Núñez u soll me mua në mënyrë fantastike. Jo të gjithë në botën e futbollit janë falso”, rrëfeu Van Gaal për “De Volkskrant”.