Vapa rikthen çmimet rekord të energjisë/ KESH importon 50 mijë mega me çmim mesatar 140 euro

Çmimet e energjisë elektrike janë dyfishuar në dy javët e fundit teksa i nxehti afrikan që ka pushtuar Europën ka rritur në mënyrë dramatike kërkesën. Në bursën hungareze, çmimi i energjisë në një pikë të caktuar arriti gati 1 mijë euro për megavat, por rritje u shënua edhe në bursat e tjera të Europës Juglindore duke përfshirë Bullgarinë, Kroacinë, Serbinë dhe Rumaninë.

Kjo rritje e ndjeshme e çmimeve të energjisë ka prekur edhe Shqipërinë. Të dhënat zyrtare nga Bursa Shqiptare e Energjisë tregojnë se në fillim të korrik energjia u tregtua mesatarisht me 97 euro për mega në tregun vendas. Por ditët e fundit çmimi mesatar i energjisë së tregtuar në ALPEX ka arritur në gati 190 euro.

Ndërkohë, korporata publike e prodhimit të energjisë ka rinisur importet masive të energjisë për të menaxhar rezervën hidrike në kushtet e thatësirës dhe kërkesës rekord për energji. KESH mbylli këtë të premte blerjen 49 mijë mega vat orëve energji, sasi e cila do të dorëzohet në periudhën nga datat 20 deri në 28 korrik.

ankandet

Sipas treguesve të publikuar, çmimi mesatar i blerjes së kësaj energjie rezultoi 139 euro për Mega Vat për një faturë totale prej gati 7 milionë eurosh.

Aktualisht rezerva energjetike në Kaskadën e Drinit është 1078 gigawat. Kjo shifër është gati 9 për qind më e lartë se mesatarja shumëvjeçare për të njëjtën pikë të vitit. Por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezerva energjetike aktualisht është 17 për qind më e ulët.

Për shkak të konsumit rekord të energjisë, rezerva energjetike e vendit po ulet me shpejtësi gjatë javëve të fundit. Zgjatja e temperaturave rekord mund të detyrojë KESH të blejë edhe më shumë energji nga jashtë gjatë muajit të ardhshëm, me çmimet që duket se do të qëndrojnë lart.

Exit mobile version