Varfëria e moderuar, BB: Këtë vit 45.3% shpenzuan vetëm 5 USD në ditë

Banka Botërore ka analizuar së fundmi se varfëria e moderuar vijon të ketë një nivel të lartë në Shqipëri. Çka do të thotë se gati gjysma e popullsisë në vend apo 45.3 për qind, shpenzojnë vetëm 5 dollarë në ditë në të cilat përfshihen të gjitha shpenzimet si për ushqime, veshmbathje, arsim, shëndet, qira etj.
Gjithashtu, banka pohon se mbi 4 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme me vetëm 2.5 USD në ditë.
Por rritja ekonomike e vendit me ritmet 3-3.5% deri në vitin 2018 pritet të ketë ndikim zbutës në varfërinë e moderuar dhe në atë ekstreme vëren BB. Institucioni Financiar Ndërkombëtar parashikon që vitin e ardhshëm, personat që shpenzojnë 5 dollarë në ditë të reduktohet me 0.8%.
Që nga vitet 2000 Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në reduktimin e varfërisë së moderuar, e cila në atë kohë përfshinte 65% të popullsisë. Ndërsa varfëria ekstreme në këto vite ishte rreth 18%.
Por vende të tjera në tranzicion e kanë përmirësuar ndjeshëm raportin e varfërisë së moderuar. Kështu Kazakistani kishte në vitin 2006 rreth 55% të popullsisë për personat që shpenzonin 5 dollarë në ditë, ndërsa këtë vit ky tregues është 13%.
Banka Botërore pret që ekonomia shqiptare të ketë një rritje solide në të ardhmen e afërt. Konsumi ka gjasa që të përmirësohet më tej, nga përmirësimi në tregun e punës për shkak të projekteve të mëdha infrastrukturore TAP dhe Statkraft.
Banka vë në dukje se vendit i duhet ende përmirësim në klimën e biznesit dhe reforma për të adresuar NPL e larta, të cilat e pengojnë rritjen e investimeve private dhe konsumin në periudhën afatmesme.

Artikulli paraprakParatë e drogës po pastrohen tek banesat, rritje me 50 euro metri
Artikulli tjetërMasa për gripin e shpendëve tek importi i pulave