Varfëria, në 2019, burimi kryesor i të ardhurave për familjet shqiptare është pensioni

Pas 30 vitesh ekonomi tregu dhe hapje të tregtisë me botën, sektori shtetëror vijon të jetë furnizuesi kryesor me të ardhura i familjeve shqiptare. Një anketë e Bankës së Shqipërisë në mbi 1200 familje në të gjithë vendin gjeti se, shumica e tyre, mbi 30 për qind kishin si burim të ardhurash pensionin, ndërsa gati 10 për qind e kishin si burim kryesor të ardhurash pagën nga punësimi në shtet.

Banka vëren se përqindja e familjeve që kanë të ardhura kryesore nga pensioni në vitin 2019 pësoi një rritje të konsiderueshme në raport me një vit më parë ( shih grafikun në fund).
Këto zhvillime lidhen me ndryshimin demografik të popullatës dhe rritjen e numrit të pensionistëve nga plakja e popullsisë.

Numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërorë. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionisteve të zgjerohet me 2.3 për qind në raport me një vit më parë.

Gjatë këtij viti vihet re një rënie e të ardhurave nga vetëpunësimi. Të ardhurat nga ky zë pësuan rënie të konsiderueshme 6-mujorin e parë 2019 sipas të dhënave të anketës. Kjo gjetje mbështet edhe nga zhvillime të tjera në këtë sektori ku numri i bizneseve që mbyllen dhe papunësia është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit.

Banka e vëren se, në familjet e intervistuara gjatë këtij viti kanë rënë ndjeshëm të ardhurat nga emigracioni dhe gjithashtu janë rritur të ardhurat nga burime të “Të tjera”.

Në total numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura nga punësimi/ dhe vetëpunësimi në sektorin shtetëror, privat dhee burime të tjera , ka shënuar rënie si në terma 6-mujorë (me 4.4%), ashtu edhe në terma vjetorë (me 2.3%).

Numri i familjeve që kanë deklaruar dhe burime të tjera të qëndrueshme të ardhurash(si qira, interesa bankare etj.) ka rënë me 2 pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e kaluar. Në këtë grup familjesh, rreth 56% e tyre deklarojnë si burime alternative të ardhurash ‘interesat nga kursimet (depozita, bono thesari etj.)’ dhe 30% deklarojnë të ardhura nga ‘qiradhënia e pronave’.

Si pjesë e rishikimit të rregullt të kampionit të vrojtuar, për këtë vrojtim është rifreskuar nga INSTAT 20% e kampionit. Në pyetësor, përveç punësimit në sektorin shtetëror dhe privat, si burime të ardhurash listohen dhe: ‘pensioni’, ‘asistencë sociale për papunësi’, ‘emigracioni’ dhe zëri ‘tjetër’, ku përfshihet çdo lloj burimi tjetër që nuk është marrë parasysh në alternativat e dhëna.

Në totalin e familjeve të përgjigjura, rreth 56% banojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit. Analiza në vijim i referohet vetëm familjeve që kanë dhënë përgjigje për secilën pyetje dhe të gjitha llogaritjet janë bërë mbi bazën e totalit të të përgjigjurve.

Exit mobile version