Të ardhurat në buxhet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi dhe tendencës së konsumit, kanë shënuar rënie në janar të këtij viti.
Sipas statistikave fiskale të janarit, të publikuara nga Ministria e Financave, TVSH solli në buxhet 10.1 miliardë lekë me një rënie prej 135 milionë lekësh ose 0.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rënia ka ardhur tërësisht nga TVSH që mblidhet në tregun e brendshëm të ardhurat nga e cila ishin 264 milionë lekë ose 4.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke zbritur në 5.77 miliardë lekë. Në të kundërt, TVSH në dogana (nga mallrat e importit) u rrit me gati 8%.
Në total, të ardhurat tatimore në janar ishin 30.9 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8% në raport me muajin e parë të vitit të kaluar. Zëri që ka “shpëtuar” tatimet e doganat është ai i taksave nacionale dhe të tjera, që është zgjeruar me 28% apo 858 milionë lekë (si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të karburanteve e të tjera në tregjet ndërkombëtare), duke neutralizuar rënien e të ardhurave nga TVSH dhe sidomos nga tatimi mbi të ardhurat personale (këto të fundit ranë me 160 milionë lekë apo gati 5%). Edhe tatim fitimi, që vitin e kaluar kishte një rritje të ndjeshme dyshifrore, në janar kishte një zgjerim minimal prej 4%.
Të ardhurat në total në buxhet për janarin u rritën minimalisht me vetëm 0.2% si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave jo tatimore, teksa institucionet buxhetore derdhën gati 700 milionë lekë në buxhet. Të ardhurat nga fondet speciale (kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore) u rritën dhe ato minimalisht me 2.8%.
Në raport me planin, të ardhurat në total ishin 1.7 miliardë lekë më shumë, megjithatë plani i janarit 2017 ishte më i ulët sesa fakti i 2016.
E ndryshme ka qenë sjellja në kahun e shpenzimeve. Teksa vitin e kaluar financat e mblodhën dorën, duke rritur të ardhurat me ritme më të larta se shpenzimet, në janar shpenzimet u rritën me 5.1%, si rrjedhojë e harxhimeve më të larta për fondin e pensioneve dhe zgjerimin e investimeve kapitale me 27%.
Pavarësisht se shpenzimet u rritën me ritme më të larta se të ardhurat, financat sërish rezultuan me një sufiçit buxhetor prej 7.8 miliardë lekësh, ndonëse ai ishte 1.1 miliardë lekë më i ulët se janari 2016.
Raporti: Integrimi për Ballkanin Perëndimor, i vështirë
“Pa besimin te sundimi i ligjit, investitorët e huaj do të ngurrojnë që të investojnë”. Kështu thuhet në raportin e hartuar për Ballkanin Perëndimor (referuar Shqipërisë) sa i përket ndërlidhjes me Bashkimin Europian të realizuar nga “Friends of Europe”. Në këtë dokument thuhet se për vendet e Ballkanit Perëndimor integrimi në BE do të jetë një proces më i gjatë dhe më i vështirë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit edhe pse do të shoqërohet me aspekte pozitive siç është anëtarësimi, modernizimi i ekonomive, qeverisjeve dhe shoqërisë. Sipas raportit, tre duhet të jenë aspektet ku duhet të fokusohen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. E para që ka të bëjë më shumë me qeverinë ka të bëjë me reformën në drejtësi dhe te institucionet qeverisëse. Mungesa e të cilave, thuhet në raport “bizneset e huaja do të ngurronin të investonin”. Në këtë dokument thuhet se biznesi ka nevojë për lidhje më të mirë të transportit, për përmirësim të IT-së, gjë e cila do të përmirësonte ndërlidhjen mes vendeve të Ballkanit, do të rriste vendet e punës te të rinjtë, të cilët vuajnë normën e lartë të papunësisë. Edukimi, thuhet në raport duhet të jetë një tjetër prioritet për t’u mundësuar të rinjve aftësimin, si dhe të angazhohen më shumë në ekonominë globale.