Varfëria, të parët në Europë, Unicef: 18 mijë fëmijë shqiptarë në mjerim

Shqipëria ka normën më të lartë të fëmijëve që jetojnë në atë që njihet si varfëri multidimensionale, në të gjithë Europën. Në këtë përfundim arrin një raport i publikuar së fundmi nga Unicef. Ky raport vlerëson se, në vendin tonë janë rreth 18 mijë fëmijët që jetojnë në varfëri, dhe kjo përkthehet në 2.1% të totalit të fëmijëve në vendin tonë. Një normë e tillë, as që i afrohet vendeve europiane.
Madje, në Shqipëri fenomeni është më i përhapur edhe se në vende si Shteti i Palestinës, Jamaica, St.Lucia, Tailanda, Meksika apo Kirgistani, sa për të përmendur disa. As me vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim nuk ka garë. Maqedonia është ndjekësja më e afërt e Shqipërisë në rajon, por me një normë më shumë se dy herë më të ulët, në vetëm 0.9%. Më pas ndjek Bosnje Hercegovina po me 0.9%, Mali i Zi me 0.6% dhe Serbia me 0.4%.
As në terma absolute, pra për totalin e fëmijëve që jetojnë në varfëri, asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund të krahasohet me Shqipërinë. Pjesë e listës janë vetëm vende të pazhvilluara dhe prania e Shqipërisë së bashku me të gjitha vendet e tjera të rajonit në këtë listë tregon realisht diferencën e theksuar me Europën. Në listë përfshihen në pjesën dërrmuese vendet e Afrikës, Amerikës së Jugut, Azisë Juglindore dhe Azisë Perëndimore.

Qeveria shqiptare ndan më pak fonde për të varfërit se mesatarja e BE
Shtresat e brishta të Shqipërisë, pensionistët, të varfërit, të papunët dhe invalidët kanë mbështetje të ulët me fonde publike si peshë nga buxheti, në raport me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, edhe pse varfëria është më e thellë dhe përfshinë një numër të madh njerëzish në raport me popullsinë. Në vitin 2016, Shqipëria akordoi 34 për qind të shpenzimeve totale buxhetore për mbrojtjen sociale, ku përfshihen kryesisht pensionet, ndihma ekonomike etj., ndërsa në të njëjtin vit në shtetet e BE shpenzimet në këtë zë ishin 41.1% të totalit.
Të dhënat janë krahasuar nga Monitor, duke u bazuar në klasifikimin e shpenzimeve sipas funksioneve të marra nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për Shqipërinë dhe Eurostat për Bashkimin Europian për të njëjtat kategori.
Shtetet e Bashkimit Europian janë shtete sociale, të orientuar drejt mbrojtjes së shtetasve, veçanërisht të grupeve vulnerabil. Eurostat shpjegon se ky funksion përbëhet nga këto zëra: sëmundjet dhe paaftësitë; shpenzimet për moshën e tretë; shpenzimet për familjet dhe fëmijët; shpenzimet për papunësinë; etj.
Krahasuar me funksionet e tjera të shpenzimeve qeveritare, për sa i përket “Mbrojtjes Sociale” kemi diferencën më të madhe me vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa shpenzon më pak për shtresat e varfëra, qeveria shqiptare është dhe më pak eficiente në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët e saj.

Në vend të dytë për sa i përket peshës ndaj totali të shpenzimeve qeveritare janë “Shërbimet e Përgjithshme Publike”. Ky funksion zë 21% të totalit të shpenzimeve në Shqipëri dhe 12.9% të totalit të shpenzimeve të përgjithshme në Bashkimin Europian.
E ndërsa ne shpenzojmë më shumë burime në krahasim me BE-në për ‘Shpenzime të përgjithshme publike”; Strehim dhe komoditete e komunitetit”; “Rend dhe Siguri Publike” dhe “Arsim”, Bashkimi Europian shpenzon për “Mbrojtje Sociale”, “Shëndetësi” dhe “Çështje Ekonomike”. Për arsimin, pesha ndaj totalit të shpenzimeve qeveritare në Shqipëri ishte 11%, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian ishte 10.2%.
Për “Shëndetësinë”, diferenca me Bashkimin Europian është më e madhe. Mesatarja e shpenzimeve për shëndetësinë në BE është 15.3% e totalit, ndërsa në Shqipëri vetëm 10% e totalit të shpenzimeve qeveritare shkojnë për shëndetësinë.
Një funksion tjetër me diferencë është Rendi dhe Siguria Publike. Mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian për këtë funksion është 3.7% e totalit të shpenzimeve qeveritare, ndërsa në Shqipëri ky funksion sipas të dhënave të marra nga MFE zinte 6% të totalit të shpenzimeve qeveritare. Shpenzimet funksionale të qeverisë janë sipas klasifikimit COFOG (Classification of the Functions of Government). Prej vitit 2007, ky klasifikim është në 10 grupe shpenzimesh funksionale.

 

Artikulli paraprakTrump: Tarifat do të ringjallin industrinë e çelikut
Artikulli tjetërSHBA e vendosur për evropianizimin e Ballkanit