Vasili: Fundi i Ramës është shumë afër

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një intervistë tha se, mënyra më e mirë për të rrëzuar Edi Ramën si Kryeministër është ajo që po bën opozita në mënyrë të përditshme, duke denoncuar skandalet dhe keqqeverisjen. Vasili tha se, sot shqiptarët janë në protestë për ato çështje që opozita i ka denoncuar më parë. “Sot, shqiptarët po protestojnë dhe opozita është në ballë. Nuk ka asnjë kulisë pallati për të rrëzuar Edi Ramën, përveç kësaj që po bën opozita në mënyrë të përditshme.Ndërkohë që, oligarkët kanë miliona pa paguar energjinë elektrike, qytetarët e thjeshtë përfundojnë në burgje. Rama sot kërcënon sërisht me burg qytetarët për faturat e ujit, nxjerr të tjerë që janë në kufijtë e mbijetesës nga skema e ndihmës ekonomike. Shqiptarët po protestojnë, janë aktorët, pedagogët, qytetarët e thjeshtë. I vetmuari në politikë është i destinuar të vdesë politikisht dhe ky i vetmuar është Edi Rama”, tha Vasili.

Ai tha se, qeverisja e Edi Ramës do të mbahet mend për kanabizimin që i bëri vendit. Madje Vasili tha se, përveç milionave që u përdorën për të blerë zgjedhjet, sot mediat kanë paralajmëruar se milionat e kanabisit po ndikojnë edhe në tregun e imobilareve, duke i kthyer shtëpitë në mollë të ndaluar për shqiptarët. Në lidhje me thirrjen në Prokurori të Edmond Haxhinasto, Vasili tha se deputeti i LSI-së nuk është në akuzë apo në hetim. Vasili tha se, Prokuroria po bën goditje selektive. “Dashamir Xhika u arrestua pas një denoncimi të bërë nga Auditi i Brendshëm i ministrit Damian Gjiknuri. Por zoti Gjiknuri është akuzuar nga KLSH për 600 milionë euro, dhe sot nuk është as i arrestuar as i hetuar. Çfarë po ndodh sot? Po goditen kundërshtarët politikë, por kjo tregon se ky është fundi i atyre që marrin veprime të tilla. Të jeni të bindur për çdo goditje politike, përgjigjia e shqiptarëve do të jetë 10 herë më e fortë. Goditjet politike nuk bëjnë asgjë tjetër, vetëm sesa shpejtojnë rënien e tyre”, tha Vasili.

Exit mobile version