Vasili: Këshillat për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit, klientelizëm politik

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Vasili ka deklaruar se kryeministri Rama po përpiqet që të kapë drejtësinë me çdo kusht dhe këtë e pohon më së miri zgjedhja e kryeprokurorit të ri.
Sipas Vasilit, kreu i organit të akuzës duhet të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por ky organ nuk është zgjedhur ende.
“Prokurori i ri i Përgjithshëm është një moment delikat në Reformën në Drejtësi, pasi kjo reformë dihet tashmë që ka hyrë në një qorrsokak të madh, të qëllimshëm, pasi mazhoranca i ka bërë të gjitha makinacionet për ta kapur atë. Sot, Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ishte një temë diskutimi, pasi do të kishim Këshillin e Lartë të Prokurorisë që duhet ta zgjidhte atë, ashtu siç reforma e përcakton. Por reforma këtu ka rënë, pasi qoftë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, qoftë Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk janë ngritur. Dhe ky veprim i qëllimshëm për ta kapur drejtësinë ka bërë që të gjitha afatet kushtetuese të bien, të gjitha mekanizmat të bllokohen dhe cenohen, me qëllimin e vetëm për ta kapur. Ka lloj-lloj interpretimesh nga ana e mazhorancës, interpretime që çojnë ujë në qëllimin për ta kapur Prokurorinë”.
Në intervistën e dhënë për “Report TV”, Vasili theksoi se, këshilla për prokuror të përkohshëm nga OPDAT dhe EURALIUS ishte e paqartë dhe e çuditshme dhe tregon se persona të caktuar në këto institucione kanë qasje të njëanshme dhe klientelizëm politik ndaj Reformës në Drejtësi.
“OPDAT dhe EURALIUS, në radhë të parë unë nuk di se kush i ka pyetur. Nuk i kam kuptuar dot OPDAT-in dhe EURALIUS-in, në mënyrë të veçantë këtë të fundit. Unë e kuptoj shumë mirë se çfarë fshihet lidhur me këtë çështje, pasi EURALIUS ka qenë një mekanizëm shumë i prerë, qoftë edhe për ndryshimet më të vogla. Mbaj mend për diskutimin për Ministrinë e Drejtësisë dhe të disa ligjeve të tjera. Ndërkohë që sot vet ofrohet. Unë nuk di që ka ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e Kryetarit të Kuvendit për ndonjë interpretim. EURALIUS, para së gjithash, duhet të shprehet për mekanizmat kushtetuese, të cilat bllokuan mundësinë e zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ia bën të pamundur Presidentit të Republikës që të hidhej shorti. Këtu do të kërkohej interpretimi i EURALIUS-it. Nuk i kuptoj dy standardet e tij: Vetofrohet t’i japë Kuvendit këshilla dhe institucionet e tjera apo aktorët e tjerë kushtetuese që realizojnë reformën për të nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë që edhe persona të caktuar brenda EURALUSI-it kanë një qasje të njëanshme dhe këtij klientelizmi politik, i cili nuk e ndihmon reformën. Kjo duhet të marrë fund”.

Exit mobile version