Vasili: Reformë me konsensus dhe sipas Venecias

Cili është qëndrimi i LSI-së për reformën në drejtësi dhe cilin nga tre projektet mbështesni ju?
Së pari lidhur me reformën në drejtësi, ne kemi pasur dhe kemi një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar që në fillim e deri më sot, duke pasur në qendër të gjithë qëndrimit tonë vetëm një plan, që do ta quaja planin A, që do të thotë reformë me konsensus dhe sipas Venecias. Dhe ky është një qëndrim i pandryshuar.
Gjithashtu, ne jemi shumë të prerë dhe të qartë edhe lidhur me miratimin e kësaj reforme duke mbajtur pikërisht këtë qëndrim dhe duke i shërbyer këtij konsensusi dhe këtij qëndrimi parimor që mbështet Opinionin e Venecias pasi kjo është një reformë solide e bërë në këtë mënyrë dhe është një domosdoshmëri për shqiptarët, për 30 vitet që vijnë.
Sigurisht që një reformë e tillë parimore, konsensuale, dhe sipas Venecias, mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë dhe përtej çdo shantazhi dhe çdo lloj tentative për të akaparuar deputetë, pasi kjo reformë nuk mundet të konsiderohet dhe nuk mund të trajtohet si një alibi elektorale për zgjedhjet e ardhshme, pasi kjo thashë dhe një herë tjetër, është një domosdoshmëri për vendin për 30 vitet që vijnë. Dhe ky është qëndrimi që nga dita e parë dhe deri ditën e sotme për këtë reformë.
Z. Vasili për çfarë shantazhi e keni fjalën dhe cili është qëndrimi i LSI për rolin e ndërkombëtarëve për procesin e vetingut?
Kemi pasur dhe kemi një qëndrim të qartë që çdo lloj zgjidhje duhet të jetë një zgjidhje që respekton plotësisht Venecian. Nuk mund të ketë një zgjidhje jashtë këtij Opinioni, pasi i vetmi autoritet i gjithëpranuar nga të gjithë forcat politike në mënyrë të padiskutueshme, por dhe më gjerë se sa ambienti politik shqiptar dhe ndërkombëtar, është Opinioni i Venecias.
Çdo zgjidhje respekton dhe përmbush plotësisht këtë Opinion të konsoliduar të Venecias, sigurisht që ka dhe mbështetjen tonë. Dhe njëkohësisht një reformë e tillë konsensuale, pra përjashto çdo lloj forme tjetër, gjë që e përmenda edhe më lartë dhe që është pohuar nga reporterët ndërkombëtarë që ndjekin Shqipërinë, pasi nuk do të ishte reforma që do të donin shqiptarët.
Në fund të fundit, ne bëjmë një reformë që është solide, që nuk është prodhim i thjeshtë ekspertësh, pasi ne e kemi vlerësuar dhe e kemi respektuar punën e ekspertëve, por Shqipëria është një republikë parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në Kushtetutën e vendit në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente.
Kjo duhet të jetë shumë e qartë për këdo, pasi ne kemi eksperienca të mitizimit dhe fetishizimit të rolit të ekspertëve. Për shembull, ju e keni të qartë në memorien tuaj kohë më parë, ne kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë një ligj të veçantë që mbështeste një kompani ekspertësh siç ishte “Crown Agents” për të ardhurat në dogana. Ju e kujtoni këtë më së miri, ku sipas rezultateve të përftuara nga ky propozim i ekspertëve qenë tepër të hidhura dhe mendoj që ky mësim flet vet. Pse jo dhe në këtë rast lidhur me reformën në drejtësi.
Z. Vasili, kur flisni ju për një votim konsensual të reformës do të thotë që nëse opozita nuk do ta votojë këtë reformë, çfarë qëndrimi do të mbajë LSI-ja? Do ta votojë?
Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe e shpjegova që në fillim të bashkëbisedimit me ju. Shinat në të cilat duhet të ecë dhe mund të ecë një reformë që i shërben Shqipërisë, jo për sot por për 30 vitet në vijim, do të thotë që janë më shumë se pluralizmi 25-vjeçar që sapo kemi kapërcyer, do të thotë një reformë që ecën përmes konsensusit, por njëkohësisht respekton pikë për pikë opinionin tashmë të bërë publik dhe të konsoliduar të Venecias.

Artikulli paraprakKatastrofike situata me drogën, policia pjesë e mbjelljeve
Artikulli tjetërPaketa e propozuar në drejtësi i ndryshon statusin vëzhguesve dhe i bën vendimmarrës