Në dalje të seancës së sotme të Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili u shpreh se nga sot parlamenti nuk ekziston më.
Sipas tij me mbylljen e fjalës së Bashës nga Gramoz Rucci, parlamentarizimi ka vdekur.
“Sot rrëmbimi, mbyllja dhe shkatërrimi i parlamentit është bërë qëllimisht nga Edi Rama për të justifikuar vendimin absolutisht shumë negativ që ekziston në Europë për negociatat. Negociatat është shumë e qartë që nuk do të kenë afat për shkak të kësaj qeverisje. Sot është moment i zi në Parlament. Cdo qëndrim që do të mbajmë sot e tutje është i motivuar nga banditizmi i maxhorancës. Çdo lloj qëndrimi do të jetë shumë më i rreptë dhe tolerancë zero”, u shpreh Vasili në dalje të seancës.
Vasili tha wm tej se, kooperativa e Edi Ramës, Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës sot vendosi të uzurpojë edhe fjalën e opozitës. “Këta banditë e uzurpatorë shënuan një moment të zi në parlament. Qëndrimi për parlamentin është: një parlament uzurpator që ka hedhur të drejtën e fjalës. Çdo qendrim që do të mbajmë sot e tutje në Kuvend është i legjitimuar dhe më fortë”, tha Vasili.