“Të huajt cilido qofshin nuk mund të sillen si pushtues”, kështu shkruan pak më parë kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Duke iu referuar thirrjeve të Lu dhe Vlahutin bërë njëzëri që për kryeprokurorin e ri të ndiqen propozimet e EURALIUS dhe OPDAT, Vasili thotë se çdo devijim nga Kushtetuta rrënon Reformën në Drejtësi.
Reagimi i Vasilit
Kanabizohet Reforma në Drejtësi. Thirrjet për konsensus të natës së fundit janë shumë të vonuara dhe shërbejnë vetëm si alibi e kapjes së drejtësisë.
Zbatimi i Reformës në Drejtësi ka hyrë në rrugën shumë të rrezikshme të antikushtetutshmërisë dhe antiligjit, që demonton shtetin e së drejtës dhe instalon një pushtet të kriminalizuar të antiligjit.
Reforma në Drejtësi është e qartë, e zeza mbi të bardhë, në Kushtetutën e miratuar me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë dhe duhet zbatuar pa lëvizur asnjë presje.
Çdo devijim nga Kushtetuta rrënon Reformën në Drejtësi e kthen atë në një antireformë dhe provon qartë kapjen nga kryeministri dhe qeveria. Të huajt cilido qofshin nuk mund të sillen si pushtues dhe të bekojnë kapjen e drejtësisë nga kanabisi i kryeministrit.
Ka vetëm një Kushtetutë, dhe as Kuvendi dhe asnjë mision i huaj nuk kanë as më të voglën mundësi ta tjetërsojnë dhe interpretojnë, pasi Kushtetuta nuk jua jep këtë të drejtë.
Shqipëria është republike kushtetuese dhe jo republikë e kanabisit.
Po, kryeministri, qeveria dhe kushdo tjetër…..që kërkon të shkelet Kushtetuta është si ata.