Vatikani thirrje qeverive në botë për mbikëqyrjen e Inteligjencës Artificiale, paralajmëron rrezikun e përhapjes së informacioneve të rreme

Vatikani u bëri  thirrje qeverive që të monitorojnë nga afër zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), duke paralajmëruar “hijen e së keqes” në aftësinë e saj për të përhapur informacione të rreme.

 

“Mediat e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale mund të minojnë gradualisht themelet e shoqërisë”, thuhet në deklaratën e hartuar nga dy ministri të Vatikanit dhe i miratuar nga Papa Françesku.

“Kjo çështje kërkon kujdes, pasi dezinformomi, veçanërisht nëpërmjet mediave të kontrolluara ose të ndikuara nga inteligjenca artificiale, mund të përhapet pa dashje duke nxitur polarizimin politik dhe trazirat sociale”, vëren teksti sipas Reuters.

Papa Françesku e ka përqendruar vëmendjen e tij në çështjet etike që lidhen me inteligjencën artificiale vitet e fundit.

Javën e kaluar, Papa dha një mesazh mbi AI në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke paralajmëruar liderët politikë dhe ekonomikë dhe liderët e biznesit se teknologjia ngre shqetësime kritike për të ardhmen e njerëzimit.

Papa foli gjithashtu për teknologjinë në samitin e G7 në Itali në qershor, duke vënë në dukje se njerëzit nuk duhet të lejojnë që algoritmet të vendosin për fatin e tyre.

Ky dokument i ri i Vatikanit, i titulluar “Antica et nova” (i lashtë dhe i ri), shqyrton ndikimin e inteligjencës artificiale në një sërë sektorësh, duke përfshirë tregun e punës, shëndetin dhe arsimin.

Exit mobile version