Ky është rasti më flagrant se si Bashkia e Durrësit shkel ligjin. Edhe pse Gjykata ka urdhëruar që të pezullohen punimet për “Velierën”, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako shkel me të dyja këmbët ligjin, duke udhëruar që puna të vazhdojë.
Ambientalisti Sazan Guri ka bërë thirrje që të shtunën qytetarët të mblidhen në Durrës për të ndaluar skandalin që po ndodh me murin antik të zbuluar së fundmi. “Baterdia në Durrës s’ka të ndalur edhe mbas vendimit të Gjykatës, për pezullimin e punimeve! Rrethohet Torra me beton dhe historia nën beton. Ditën e shtunë ora 12:00, te Torra Veneciane, me kazma e lopata, o ta varrosim me ta historinë, o ti ndalojmë”, deklaron Sazan Guri.
Në shkelje të vendimit të Gjykatës Administrative, Bashkia Durrës ka vijuar me punimet në sheshin “Veliera”, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëravjeçare.
Tashmë hapësira rreth Torrës Veneciane është e betonizuar totalisht, duke shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit.
Më 17 shkurt, Gjykata Administrative vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të sheshit, pikërisht në vendin ku u gjetën themelet e ndërtesës e mjete të vjetra lufte. Por fotot e publikuara nga qytetarët dje tregojnë se, punimet jo vetëm që nuk janë ndalur, por është hedhur beton mbi gjetjet arkeologjike.
Qytetarë, aktivistë të Shoqërisë Civile e arkeologë, që e quajtën fitore vendimin e Gjykatës për pezullimin e ndërtimit, protestuan dje sërish kundër kryebashkiakut Vangjush Dako.
Punimet për rikualifikimin urban të sheshit “Veliera” në Durrës kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Punimet për ndërtimin e velës prej betoni do të shkatërronin trashëgiminë kulturore të qytetit.