Vdekja e 16-vjeçares, mjeku Zhurda në luftë me vdekjen

Tefik Zhurda, një nga tre mjekët e proceduar penalisht për rastin e Blerta Pepës po lufton me vdekjen. Ai vazhdon të jetë në gjendje kome në Spitalin e Traumës dhe sipas kolegëve për ta mbajtur në jetë duhet një trajtim më i specializuar jashtë vendit.
“Gjendja e doktorit vijon të jetë e rëndë. Ai po vijon të qëndrojë në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar. Mund ta çojmë jashtë vendit”, tha mjeku Apostol Vaso.
Kolegët e Zhurdës thonë se, rasti i tij është një fatkeqësi që mund t’i ndodhë kujtdo dhe sipas tyre, në Shqipëri presioni është i papërballueshëm nga frika e hakmarrjes.
Stafi i Spitalit të Traumës po shikon edhe mundësinë e dërgimit të tij jashtë vendit, për një mjekim më të specializuar, si pasojë e dëmtimeve që i kanë shkaktuar preparatet e anestezisë, që 53-vjeçari i injektoi vetes në kushtet e një shoku psikologjik. “Shyqyr që nuk më ndodhi mua. Të kesh në duar një fëmijë në lule të rinisë dhe të mos kesh mundësi t’i bësh gjë… Kam përfytyruar pozitën e Tefikut dhe presionin që do ushtrohej ndaj mjekëve dhe  unë do jepja veten kokë më kokë, pasi nuk mund të jetoj me kokën prapa nga frika për fëmijët e mi, pasi siç e dimë, ne kemi traditën e hakmarrjes”, thotë mjeku anestezist Apostol Vaso.
Megjithëse të dhënat e para nga Mjekësia Ligjore konfirmojnë komplikacionin hipetermia malinje dhe përdorimin e medikamentit dantolen, Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë 3 mjekët që asistuan operacionin.
Kur mësoi se 16-vjeçarja Blerta Pepa, kishte humbur jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju, Zhurda ishte futur në një nga dhomat e spitalit, ku injektoi në trup edhe medikamentin e narkozës. Hetimet për vdekjen e Blerta Pepës, mbeten në pritje të aktit të plotë të ekspertizës mjeko-ligjore. Të dhënat paraprake treguan se, vajza ka pësuar hipertermi malinje kur operacioni kishte përfunduar. Kjo për shkak të problemeve gjenetike me alergjitë e lindura që shkaktojnë komplikacionin e rrallë.

Artikulli paraprakShqiptari kapet në Itali me 400 mijë euro kokainë
Artikulli tjetërEkzekutimi i dyfishtë në Durrës mbetet pa autor, ngecin hetimet