Vdekja e Andon Mëhillajt në burg, zbardhen detaje të reja

Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e Andon Mëhillajt, anëtar i grupit të Julian Sinanajt, i cili u gjet i pajetë në qelitë e burgut të Peqinit në rrethana ende të paqarta.

Burime bëjnë me dije se kishte dy ditë që kishte qenë keq nga ana shëndetësore dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore. Por, burgu i Peqinit nuk ka doktor. Ata nuk e kanë çuar në një spital jashtë burgut pasi duhen procedura dhe kishin marrë frikë së fundmi nga rasti i Dritan Dajtit.
Mbrëmjen e djeshme të gjithë të burgosurit kanë protestuar duke goditur fort dyert e burgut.

Ndërkohë familjarët e Mëhillajt kanë ngritur dyshime se mund ta kenë helmuar. Pritet ekspertiza për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij.

Andon Mëhillaj vuante prej kohësh nga depresioni, madje merrte edhe disa ilaçe për këtë arsye.
Andon Mëhillaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për një serë veprash penale.

Në 2014 ai u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqë, pas të cilës fshihen disa vrasje dhe jo vetëm.

Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit. Po ashtu pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për “Akte terroriste” dhe “Financim të terrorizmit”.

Exit mobile version