Prokuroria e Tiranës, regjistroi kallëzimin penal të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë task-forcë pranë organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, pas kallëzimit të selisë blu, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin për akuzën e “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
Burimet thonë se, krahas hetimit penal për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, po hetohet edhe mënyra e funksionimit dhe menaxhimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane.
Sipas Prokurorisë, po verifikohet e gjithë procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës, në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Veronës. Krijimi mes tyre të një shoqërie të përbashkët me emër “Eco Tirana” sh.a. ku 51% të aksioneve i disponon Bashkia e Tiranës dhe 49% të aksioneve të tjera një shoqëri publike italiane e Bashkisë së Veronës për menaxhimin e landfillit të Sharrës.
Në kallëzim e PD-së, thuhet se zyrtarë të lartë të Bashkisë së kryeqytetit që në nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkinë e Veronës ka shkelje ligjore. Më pas edhe krijimi i kësaj shoqërie me emrin Eco Tirana që është bërë pa asnjë procedurë konkurrimi apo kritereve të parashikuara në ligj është një shkelje tjetër e ligjit për shoqëritë tregtare.
Veç krijimit të shoqërisë, e cila për 25 vitet e ardhshme menaxhon mbetjet e riciklueshme në landfillin e Sharrës, nuk është caktuar administrator apo bord drejtues të kësaj shoqërie. Hetuesit thonë se krahas hetimit të kësaj marrëveshjeje dhe krijimin e shoqërisë “Eco Tirana”, Prokuroria po heton edhe mënyrën se si kjo shoqëri publike i ka dhënë në shfrytëzim pa tender kompanisë 3R selektimin e mbetjeve të riciklueshme brenda landfillit të Sharrës.
Kompania 3R, drejtuesi i të cilës është shpallur në kërkim, pasi në landfill u gjet i vdekur 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, i cili ishte punësuar jashtë çdo kriteri ligjor në landfill për selektimin e mbetjeve.
Sipas akuzës, edhe për llogari të hetimit të nisur nga kallëzimi i PD-së, është kërkuar nga Bashkia e Tiranës t’i vërë në dispozicion të gjitha materialet e kësaj dosje dhe kontratat mes kompanive për shfrytëzimin e mbetjeve të riciklueshme në landfillin e Sharrës. Por pavarësisht kërkesës së përsëritur, Bashkia e Tiranës vazhdon të heshtë, duke mos ia vënë në dispozicion Prokurorisë materialet e çështjes.
Dëshmia e vëllait të Gjoklajt në Prokurori
Prokuroria e Tiranës mori në pyetje të premten e kaluar vëllanë e madh të Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që u gjet i vdekur brenda landfillit të Sharrës. Bëhet e ditur se, oficeri i policisë në prani të prokurorit Julian Zonja, ka administruar në dosje dëshminë e Ardian Gjoklajt. Ky i fundit ka treguar se prej disa muajsh, punonte pranë landfillit si punonjës i kompanisë “3R”, por i paregjistruar. Ai ka treguar se pronari i kompanisë, i shpallur në kërkim Edurim Teqja e ka punësuar dhe punonte çdo natë në turnin e tretë të selektimit të mbeturinave. Para hetuesve, Ardian Gjoklaj është shprehur se vëllai 17-vjeçar kishte mbi 1 muaj që punonte bashkë me atë në turnin e natës, në selektimin e mbeturinave.
Natën e ngjarjes, ai i ka thënë hetuesve se e kishte lënë vetëm vëllanë të punonte, pasi vetë kishte shkuar për vizitë te gjyshja dhe vetëm në mëngjes kanë konstatuar se Arditi nuk ishte kthyer nga puna. Në Prokurori, Ardian Gjoklaj ka treguar se drejtuesit e kompanisë, ditën e ngjarjes kanë mohuar se Arditi ishte në punë atë natë, duke tentuar të fshehin krimin. Por disa ditë pas ngjarjes, ai i ka thënë hetuesve se në kapanonin e landfillit ka marrë rrogën e tij mujore dhe të vëllait, që u gjet i vdekur brenda landfillit.
Nga ana tjetër, hetuesit kanë ngritur dyshime se Bashkia e kryeqytetit nuk ka bërë tender të hapur për shpalljen fituese të Kompanisë “3R” për selektimin e mbetjeve urbane brenda landfillit. Por, me një urdhër të veçantë të kreut të Bashkisë, dyshohet se Kompania “3R” ka nisur punën në landfill, urdhër ky që pritet të verifikohet pas dorëzimit të materialeve në Prokurori nga Bashkia e kryeqytetit.
Veç dëshmisë së vëllait të viktimës, 16 persona janë marrë në pyetje për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Familjarët dhe punëtorët e Kompanisë “3R” kanë dëshmuar para prokurorëve se adoleshenti që humbi jetën, ishte punëtor në landfill dhe nuk ishte i siguruar.
Si u mor në dorëzim landfilli i Sharrës nga kompania “3R”
Edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj nga vdekja e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën duke punuar në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës nuk ka bërë ende publike marrëveshjen që kishte me firmën 3R. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, promovoi aktivitetin e kësaj firme në landfillin e Sharrës, pak ditë përpara vdekjes së Ardit Gjoklajt.
ABC News në datën 20 shtator dorëzoi një kërkesë me shkrim në Bashkinë e kryeqytetit. Vënien në dispozicion të kontratës që kishte Bashkia e Tiranës me firmën 3R, dhe arsyen përse “Eko Tirana”, ndërmarja që menaxhon mbetjet e kryeqytetit nuk ka ende një administrator. Këto do të hidhnin dritë mbi mënyrën se si u administrua landfilli i Sharrës.
Pas vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, landfilli i Sharrës është braktisur dhe aty mund të hyjë kushdo. Bashkia e Tiranës ende nuk ka bërë publike dokumentat dhe proçedurat, sipas të cilave kompania 3R mori në dorëzim landfillin.
Mesditën e të mërkurës u interesuam pranë Bashkisë për të marrë një përgjigje. Ndërkohë që kërkesa për informacion do kohën e saj për t’u përpunuar, landfilli i Sharrës është lënë jashtë vëmendjes administruese të Bashkisë së Tiranës pas tërheqjes së firmës 3R. Siç duket edhe nga pamjet përmes çarjes së rrethimit në Landfillin e Sharrës, hyn e del kushdo që i ka gjetur punë vetes.