Një ditë pas ndalimit të zyrtarëve të lartë të këtij autoriteti, një tjetër drejtor i saj është arrestuar, si përgjegjës për mosvendosjen e parmakëve mbrojtës në autostradën Plepa – Golem, në vendin ku humbën jetën dy fëmijë, në aksidentin tragjik të së shtunës. Pas drejtorit juridik Dritan Fejzo dhe drejtorit rajonal të Autoritetit Rrugor të Tiranes, Bib Gjomarkaj është prangosur me urdhër të Prokurorisë së Kavajës edhe Lek Tushaj, me detyrë drejtor i Sigurisë Rrugore në ARRSH.
Mbi Tushjan është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, ai ka marrë në dorëzim rrugën kur në fakt ajo nuk plotësonte kushtet e sigurisë dhe nuk kishte sinjalistikën e duhur. Për Prokurorinë ndërprerja e trafikndarëses në vendin e aksidentit ku humbën jetën dy fëmijët ishte një arsye e fortë që Autoriteti Rrugor Shqiptar, të mos e merrte në dorëzim aksin rrugor.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Kavajës ka firmosur dy urdhër ndalimi për dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH), Kavajë. Mësohet se dy zyrtarët për të cilët është kërkuar ndalimi janë Bib Gjomarkaj, drejtori Rajonal i ARRSH, Tiranë, dhe Dritan Fejzo, drejtori Juridik i ARRSH. Dyshohet se këta zyrtarë janë përgjegjës për mos kompletimin e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti i humbjes së jetës së dy fëmijëve, me barrierat mbrojtëse. Prokuroria e Kavajës ka konfirmuar këtë informacion, duke bërë të ditur zyrtarisht se oficerët e Policisë Gjyqësore urdhëruan ndalimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Këto urdhër ndalime janë bërë në vijim të hetimit të nisur me iniciativë pas aksidentit të së dielës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë.
Ndërkohë, u desh të vdisnin dy fëmijë, që të vendoseshin barrierat metalike në rrugë. Edhe pse kishte afro dy vite që ishte lëshuar një vendim i formës së prerë nga Gjykatës Administrative e Apelit për të vendosur metalike anësore në vendin ku ndodhi aksidenti, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transporteve duket se kishin pritur përgjakjen e rrugëve që të vinin ujin në zjarr për të mbyllur këto barriera. Edhe pas aksidentit tragjik, u desh një javë që autoritetet të merrnin mundimin që të vendosnin këto mbrojtëse anësore metalike.
Kjo mbyll vetëm një nga shumë pikat e tilla të rrezikshme, pasi gjatë segmentit Plepa – Golem ka edhe ndërprerje të tjera të barrierave mbrojtëse, që mund të rezultojnë fatale për qytetarët. Ky është vetëm një rast, që nxorri në pah të palarat e zyrtarëve të shtetit që nuk respektojnë vendimet e gjykatave dhe që për interesa të ndryshme, me veprimet e tyre, cënojnë sigurinë e jetës së qytetarëve.