Vdekja e Monsinjor Luçjano Avgustinit, ceremoni lamtumire në Vaun e Dejës

Bashkia e Vau Dejës me vendim të Këshillit Bashkiak shpall ditën e djeshme ditë zie në territorin e Bashkisë Vau Dejës. Ky vendim vjen pas ndarjes nga jeta të Ipeshkvit të Dioqezës së Sapes mons. Luçjano Avgustinit.
Ambasadori i OSBE ne Shqipëri, Florian Raunig ka zhvilluar homazhe pranë katedrales “Nënë Tereza” në Vau Dejës, në nderim dhe respekt të figurës së Monsinjor Luçjano Avgustinit. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Vau Dejës, Raunig ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta drejtuesve të Kishës Katolike dhe mbarë komunitetit katolik për ndarjen nga jeta, të Ipeshkvit të Dioqezës së Sapes, Monsinjor Luçjano Avgustini.
Kryetari i Bashkisë së Vau Dejës, Zef Hila, e ka cilësuar vdekjen e Monsinjor Luçjano Avgustinit si një humbje të madhë për të gjithë zonën.
Monsinjor Luçjano Avgustini, u nda nga jeta të dielën, pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë. Ceremonia mortore u zhvillua dje në orën 10:00 në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau Dejës.
Ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar Imzot Luçjano Agostinin një intelektual të shquar dhe atdhetar të flaktë. “Në lamtumirën e fundit të një miku të çmuar, Imzot Luçjano Avgostini, Ipeshkvi i Dioqezës së Sapes!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Të dashur miq, sot komuniteti Katolik i Dioqezës së Sapes, katoliket shqiptarë dhe mbarë kombi ynë ishin në dhimbje dhe zi për ndarjen nga jeta të Bariut shembullor të Kishës tonë Katolike, intelektualit të shquar dhe atdhetarit të flaktë, Imzot Luçjano Avgostini, Ipeshkvi i Dioqezës së Sapes. Në ceremoninë e lamtumirës, në prani të Presidentit te Republikës Bujar Nishani, Nuncit Apostolik Ramiro Moliner Inglés, udhëheqjes së Kishës Katolike shqiptare e të dërguarve të lartë të Papa Franceskut, familjarëve dhe qindra qytetarëve, në Katedralen e Vaut të Dejës u mbajt mesha solemne.
Në këtë meshë u lexua mesazhi i ngushëllimit i vet Papa Franceskut dhe u fol për virtytet e larta njerëzore dhe meritat e mëdha të Imzot Luçjanos në ringjalljen e Kishës në Shqipëri. Edhe një herë nderim të veçantë për veprën e pavdekshme të mikut të dashur për të gjithë ata që e kanë njohur, Bariut të përkushtuar të kishës, intelektualit dhe atdhetarit të flaktë, Imzot Luçjano Avgostini dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit katolik të Dioqezës së Sapes dhe mbarë besimtarëve katolikë shqiptarë për ndarjen e tij nga jeta! Sb”, shkruan Berisha.

Exit mobile version