Vdekja e nënës me foshnjën, lirohen nga burgu dy mjekët

Gjykata e Tiranës liroi dje nga burgu dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, Elidon Klosi dhe Dritan Deçka. Gjyqtari Altin Shkurti, që zhvilloi seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje” për dy mjekët Klosi dhe Deçka. Vendimi i lirimit u prit me gëzim nga familjarët dhe kolegët e mjekëve që kishin ardhur pranë Gjykatës në mbështetje të të arrestuarve, ndërsa familjarët e dy viktimave kanë mbetur të pakënqaur nga vendimi i Gjykatës për lirimin e mjekëve.
Gjykata në vendimin e saj, argumentoi se lirimi i mjekëve nuk përbën rrezik për organin e akuzës në mbledhjen e provave për çështjen në hetim. Gjyqtari i kujtoi Prokurorisë, se ende nuk ka një raport të Mjekësisë Ligjore, që përcakton shkakun e vdekjes së 35-vjeçares Aida Cajka. Si dhe nuk ka një ekspertizë konkrete që ngarkon me përgjegjësi penale dy mjekët e arrestuar. Për këtë fakt u urdhërua lirimi i tyre.
Nga ana tjëtër, Prokuroria deri në përfundim të këtyre raporteve të Mjekësisë Ligjore, i kërkoi Gjykatës që dy mjekët të qëndrojnë në burg me afat 45 ditor. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga avokatët dhe vetë mjekët. Mësohet se dy doktorët, kanë pretenduar se sistemi mjekësor është i tillë dhe materniteti nuk ka kardiolog në turin e natës, duke pretenduar se janë të pafajshëm.
Ngjarja për të cilën janë proceduar dy mjekët ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur shtetasja Aida Cajka ndërroi jetë bashkë me fëmijën e palindur në maternitet. Familjarët akuzuan bluzat e bardha për neglizhencë, që bënë që Prokuroria të urdhëroi ndalimin e tyre dhe marrjen në hetim të mjekëve të tjerë të Maternitetit, QSUT-së dhe Sanatoriumit.
Dy mjekët akuzohen nga Prokuroria për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me rastin e rëndë të vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajku dhe foshnjës së saj 9-muajshe, ngjarje tragjike e ndodhur mes mbrëmjes së të enjtes dhe në të gdhirë të ditës së premte që lamë pas. Në deklarimet e para dhënë para hetuesve, mësohet se dy mjekët kanë thënë se, ata kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar procedurat që ndiqen në të tilla raste.

Vëllai i Aida Çajkut: Paaftësia e mjekëve i mori jetën motrës

Vëllai i nënës 35 vjeçare, Aida Çajka që humbi jetën bashkë me foshnjën e saj në maternitet, Fation Omuri bën përgjegjës direkt mjekët e maternitetit për paaftësi në trajtimin e komplikacioneve shëndetësore të motrës së tij. Ai tregon me detaje ngjarjen, që në momentin që e sëmura hyri në maternitet e deri kur mori lajmin e vdekjes.
Nëna 35 vjeçare Aida Çajka, humbi jetën bashkë me foshnjën e saj në bark, para tre ditësh në maternitetin “Koço Gliozheni”. Pas shqetësimeve shëndetësore ajo u paraqit me urgjencë në maternitet dhe pas rreth 7 orësh humbi jetën.
Autopsia paraprake tregoi se kishte çarje të shpretkës dhe hemorragji të brendshme, por mjekësia ligjore ende nuk e ka dhënë versionin përfundimtar. Për vdekjen e saj janë ndaluar dy mjekët e maternitetit të cilët akuzohen për mjekim të pakujdesshëm dhe neglizhencë, ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar 45 ditë burg.

Exit mobile version