Arnold Kola, djali i ish-deputetit të PS, Ndue Kola, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë me pasojë vdekjen e një efektivi policie thotë se ishte në gjendje të dehur. Prokuroria kërkon masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj autorit që shkaktoi vdekjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve. Dosja hetimore e Prokurorisë është depozituar në Gjykatë ndaj shtetasit Arnold Kola, 22-vjeç. Ai ka deklaruar përpara hetuesve se ishte me shpejtësi të lartë dhe nuk kishte mundur të frenonte.
Ditën e ngjarjes, 22-vjeçari, i cili ishte duke udhëtuar me mjetin tip “Lexus”, ishte duke lëvizur nga Qendër-Kamëz në drejtim të Institutit, kur goditi mjetin e policisë, e konkretisht atë të Komisariatit Nr. 5, i cili ka qenë në patrullim në të njëjtin sens lëvizjeje. “Po vija nga Shkodra në Tiranë dhe nuk e pashë makinën e policisë”, ka deklaruar ai para hetuesve.
I riu nën avujt e alkoolit përplasi furgonin e policisë që po patrullonte në Kamëz, duke i marrë jetën policit Ervin Haxhia si dhe plagosi dy efektivë të tjerë, të Komisariatit Nr. 5, në Tiranë. Kola, para hetuesve pohoi se po udhëtonte nga Shkodra drejt Tiranës, pasi kishte konsumuar disa gota alkool me një mik. Ai ka pretenduar se ka kryer një parakalim në të djathtë, ndërsa nuk e kishte kuptuar se para kishte pasur një automjet.
“Parakalova dy makina në krahun e djathtë. Pashë që kisha një mjet, por nuk e kuptova çfarë ishte. Nuk e pashë makinën e policisë. Pasi parakalova dy mjetet në krahun e djathtë vendosa të bëj parakalimin tjetër në krahun e majtë, por nuk arrita të kaloj. Aty godita në cep furgonin. Vetura ime u përmbys, ndërsa furgoni i policisë u përplas me disa vetura që ishin të parkuara anës rrugës”, tha Arnoldi mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 shtatorit.
Më tej, në lidhje me shkakun e aksidentit, Kola, ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar se ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa testi i policisë ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur, me 0.57 mg/l alkool në gjak. “Isha në Shkodër. Aty piva disa gota me një shok dhe pastaj u nisa për në Tiranë. Gjatë rrugës eca shpejt. Në Kamëz, ndodhi aksidenti ku godita makinën e policisë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, hetuesit dyshojnë se disa prej deklarimeve të të ndaluarit, nuk janë të vërteta, sa i përket mekanizmit të aksidentit dhe vendit ku është goditur mjeti i policisë. Sipas hetuesve, vendi i goditjes nuk përputhet me atë që pretendon autori i aksidentit Arnold Kola. Po kështu hetuesit kanë dyshime se edhe parakalimi në të djathtë mund të jetë një tentativë e tij për t’u justifikuar. Pavarësisht këtyre pretendimeve, kjo nuk ndryshon sipas hetuesve fajësinë e tij, apo përgjegjësinë për aksidentin.
22-vjeçari është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola të Qarkut Shkodër i zgjedhur në vitin 2009. Mbrëmjen e aksidentit, Kola udhëtonte më 140km/h. Nga hetimet konstatohet se shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe gjendja e dehur e 22-vjeçarit gjatë kohës që drejtonte automjetin.
Arnold Kola është ndaluar edhe në vitin 2015, për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit të policisë, Kola ka rezultuar nën ndikimin e masës 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l.