Laert SKIRO
Nuk është ndonjë sekret se një “shok” i Partisë Socialiste është i sëmurë rëndë; madje në pikën ekstreme të jetës. Mirëpo si e përdorin?
Në tri mënyra e përdorin:
Të parët shikojnë udhëheqjen kryesore të Partisë se si e shikon sëmundjen e rëndë të shokut. Në rastin kur udhëheqësi thotë “sa keq, e kishim shok të mirë të Partisë”, këta që janë rrotull nxjerrin shamitë nga xhepi. Sikur udhëheqësi të mos e ketë mendjen fare, po këta bëhen akull dhe thonë se, “përderisa nuk ia var udhëheqësi, pse të qaj unë?”.
Të dytët janë ata që as duan t’ia dinë. Jo se nuk janë kuriozë çfarë po ndodh me shëndetin e shokut, por sepse “kjo është punë që nuk preket, tjetri është i sëmurë”. Këta janë heretikët në shumicë. Ka kaq kohë që Bashkim Fino- ish-kryeministër i Republikës, ndodhet i sëmurë rëndë, madje edhe i shtruar në spitale jashtë vendit; por nuk ka asnjë njoftim për publikun. Është tipike për shoqëritë e mbyllura komuniste kur për udhëheqësin nuk tregohej asgjë; ose, sidomos për udhëheqësin e sërës së dytë. Por në shoqëritë demokratike, për një ish-kryeministër tregohet hap pas hapi si është shëndeti i tij, çfarë po bëhet, etj.
Të tretët janë ata që e përdorin jo vetëm sëmundjen, por edhe vdekjen e shokut që të hedhin aty mëkatet e veta. Tipik ishte ky i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky u kap nga mediat se kishte marrë një avion privat, e kishte paguar-sigurisht diku te 20 mijë euro dhe kishte bërë qejf në Paris. Para pak ditësh media kishte kapur edhe gruan e tij që udhëtonte dhe bënte qejf në Meksikë. Kësaj here, si kurrë ndonjëherë tjetër, Veliaj provoi të përgjigjet…
Po cila është përgjigjja?
Këtu zoti Veliaj përdori shëndetin e lig, po tepër të lig, të shokut të Partisë. Veliaj iu kthye kritikëve të tij mediatikë dhe iu tha, pak a shumë “a nuk iu vjen rëndë?” se unë nuk isha në Paris, por “në Itali për të parë në spital Bashkim Finon”. Këtu mori frymë i shfajësuar. Hera e parë që Partia tregon se ish-kryeministri qenka i sëmurë dhe i shtruar në Itali. Edhe këtë e bën kryetari i Bashkisë…
Por nuk është këtu “thesi i mëkateve”. Thes i mëkateve të Veliaj kthehet shoku i sëmurë. Sipas këtij kryetari bashkie, duhet t’u vijë keq të gjithëve, madje “të më shpallin hero”, sepse “i shkova në qokë” shokut të sëmurë. Sa e turpshme, por edhe sa e frikshme.
Me këtë, të gjithë “delet” popull duhet të shkrihen në lot dhe t’i thonë Erion Veliajt: “Merre avionin privat, vëlla; merre e shko ku të duash. Mjafton që ke qenë te shoku ynë i sëmurë”… As bagëtitë nuk e bëjnë këtë, edhe pse kryetari dhe shefi i tij kryetar mendojnë se të gjithë janë dele, domethënë, bagëti.
Po në qoftë se do të kishim shtet, po në qoftë se do të kishim ligj, po në qoftë se do të kishte moral politik, atëherë çfarë me Veliajn?…
Atëherë me Veliajn do të sillej kështu: Nëse ke qenë në Francë dhe shkarkohesh te Bashkimi i sëmurë, atëherë nuk ka dënim, se të ka dënuar Zoti. “Por jep dorëheqjen!”.
Atëherë, Veliaj do të thërritej e t’i kërkohej dorëheqja e menjëhershme. Sepse edhe për në Itali ka përdorur një avion privat, ka funksionuar o me fonde publike o me lekë të vjedhur.
Atëherë Veliaj do të paraqitej në gjykatë dhe të merrte dënimin sipas ligjit. Të paktën të kthente paratë e keqpërdorura për udhëtimin dhe të jepte dorëheqjen…
Por gjithnjë duke manifestuar se ka shtet.
“Veritas.al.com”