Vdekja e turistes ruse në det, 45 ditë burg skafistit

Gjykata e Sarandës ka vendosur 45 ditë burg me afat për Ermal Fatajn, i dyshuar se ka goditur me skaf turisten ruse 15-vjeçaren Ksenia Ryok, e cila humbi jetën katër ditë më parë. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, e cila dyshon se Ermal Fataj mund të jete ai personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues 15-vjeçaren.
Dëshmia e Fatajt është mjaft e rëndësishme për hetimin, pasi pritet të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së mjetit lundrues, policia gjeti në helikën e skafit të Fatajt flokë, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin e policisë. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet se ato i përkasin 15-vjeçares dhe të hidhet më shumë dritë mbi të vërtetën. Ajo që konfirmon grupi hetimor është se turistja, e cila ishte duke notuar në det ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Nga verifikimet e policisë rezulton se 15-vjeçarja ka qenë duke u larë me nënën e saj në det dhe në një moment është larguar me not deri në hapësirën ujore ku parkohen mjetet lundruese. Në atë kohë, nëna e adoleshentes vërejti një mjet lundrues që kaloi me shpejtësi dhe që dyshohet se  goditi me helikë 15-vjeçaren.
Por ajo çka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes së ekspertimit në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se, ajo mund të rikthehet në gjendje pune pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt, deri në rregullimin e saj hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.

Artikulli paraprakSi u planifikua prej dy muajsh atentati në Tiranë ndaj aktorit
Artikulli tjetërNjë i dënuar arratiset nga burgu i Drenovës