Vdekje fashizmit, rroftë fashistja!

Frank SHKRELI

Historiani shqiptar Kastriot Dervishi ka botuar ditët e fundit një dokument, sipas të cilit provohet se Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, në rininë e saj, para se të bëhej komuniste e devotshme, na paska qenë e regjistruar në Partinë Fashiste. Megjithëse dokumenti konsiderohet origjinal, disa janë shprehur se Nexhmije Hoxha nuk ka qenë fashiste, por vetëm e regjistruar në Rininë Fashiste. Ky pretendim është sikur të thuash se, “pionerët e Enverit” nuk ishin komunistë dhe nuk mbështesnin regjimin e tij brutal.
Dihet se organizata të tilla kishte nën fashizëm dhe nën komunizëm. Më kujtohen zgjedhjet e para “pluraliste” të vitit 1991, kur isha në Tiranë me delegacionin e parë të Departmentit të Shtetit për të hapur ambasadën e parë amerikane atje dhe për të marrë pjesë si vërejtës në ato zgjedhje. Kujtoj rastin kur për herë të parë, me të arritur në Tiranë, na ra në dorë lista e partive të regjistruara që do të merrnin pjesë në zgjedhje, ku përveç Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane ishin të renditura edhe Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Partia Agrare, Komiteti i Veteranëve dhe kandidatë të “pavarur”. Reagimi i parë i kolegëve të mi amerikanë ishte pozitiv se në sipërfaqe dukej si një garë elektorale me të vërtetë pluraliste, por entuziazmi i tyre u shua shpejt kur u thashë se këto organizata ishin satelite të Partisë së Punës dhe se garonin me të njëjtit kandidatë koalicioni të PPSH-së dhe si të tilla ishin krejtësisht të varura nga PPSH-ja. Me këtë dua të them se në këtë mënyrë vepronte edhe fashizmi në rininë e Nexhmijes, ndërsa krijonte organizata të ngjashme satelite si këto të Partisë së Punës së Shqipërisë më vonë për t’u dukur më “demokratike” dhe më “gjithëpërfshirëse”.
Nuk ka aq shumë rëndësi nëse Nexhmije Hoxha e pranon vërtetësinë e dokumentit që provon anëtarësimin e saj në Partinë Fashiste, ose jo. Është e natyrshme që ajo do të përgënjeshtrojë një gjë të tillë. Ç’pret tjetër. Por ajo nuk mund të mohojë gjërat e përbashkëta që, sipas studiuesve dhe historianëve perëndimorë, ekzistojnë midis komunizmit dhe nacizmit. Me Nexhmijen dhe me anëtarësimin e saj në Partinë Fashiste le të merren historianët, por deshta vetëm të vë në dukje atë që me qindra historianë dhe ekspertë perëndimorë, të cilët me librat, me dokumentarët, me studime dhe analiza të ndryshme kanë dokumentuar historikisht dhe shkencërisht, se këto dy regjime ekstremisht brutale të shekullit të kaluar, kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe si diktatura, pavarësisht se përpiqen të dallohen nga njëra-tjetra, në të vërtetë janë njësoj, sidomos për nga brutaliteti që kanë përdorur ndaj kundërshtarve të vet dhe të tjerëve.
Prandaj nga ky këndvështrim nuk është vështirë të shihet se kalimi i Nexhmije Hoxhës nga Partia Fashiste në Partinë Komuniste, duhet të ketë qenë një vendim jo vetëm oportunist, por edhe krejtësisht i natyrshëm për të, kur të merren parasysh ngjashmëritë midis dy ideologjive totalitare, komunizmit dhe fashizmit. Siç thashë më lartë, në botën perëndimore ka një literaturë të pasur, librash, studimesh dhe analizash mbi barazvlerat dhe ngjashmëritë-si në teori ashtu edhe në praktikë-midis këtyre dy ideologjive radikale, të cilat gjatë shekullit të kaluar sollën pasoja të tmershme katastrofike për Europën dhe për mbarë botën, me pasoja të cilat shihen edhe sot e kësaj dite në shumë vende ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.
Një ndër këto studime akademike është edhe libri i botuar para dy-tre vitesh nga Profesori i Shkencave Politike të Universitetit Maryland këtu në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Tismeanu, me titull, “Djalli në Histori – Komunizmi dhe Fashizmi”. Në këtë studim, Profesori amerikan Tismeanu, me origjinë nga Rumania, krahason komunizmin me fashizmin, si dy sisteme garuese me njëri-tjetrin, por gjithashtu edhe si dy sisteme që për nga zhvillimi dhe ushtrimi brutal i pushtetit, puqen në ideologjinë e tyre të totalitarizmit djallëzor, në emër të parimit të një nënshtrimi të përgjithshëm skllavërues të njeriut ndaj regjimit. Profesori Tismeanu krahason ngjashmëritë midis këtyre dy sistemeve politike më të përgjakshme që ka njohur historia.
Në librin e tij, “Djalli në Histori”, Profesori i Universitetit Maryland shqyrton, ndër të tjera, se si është e mundur që frymëzimet utopike që u propaganduan nga regjimet komuniste dhe fashiste në Europë fillim shekullin e kaluar për një revolucion botëror dhe rilindje kombëtare, të ktheheshin në regjime vrasëse. Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte? Si është e mundur që dy sisteme, që në sipërfaqe dukeshin si krejtësisht ndryshe nga njëri-tjetri, të bënin krime të përmasave të tilla kundër njerëzimit, duke krijuar Auschwitzin nazist dhe gulagë komunistë anë e mbanë Europës. Libri në fjalë u përgjigjet disa pyetjeve themelore mbi moralin dhe politikën, që do e s’do, janë pyetje që rrjedhin nga krahasimi i ngjashmërive midis nacizmit dhe komunizmit, dy sisteme që më në fund, nënvijon autori, dështuan mizorisht ekonomikisht dhe politikisht, por që përfunduan në humbje të mëdha në jetë njerëzish të pafajshëm. Një ndër shqetësimet e tij është përballimi ose mungesa e përballimit me historinë. Profesori Tismeanu shkruan se është me rëndësi të përballohemi me të kaluarën. Për t’u marrë me të kaluarën, sado e vështirë të jetë ajo, është një lloj terapie për individët dhe për shoqërinë, thotë ai. Tismeanu thekson se, nuk mund të ketë heshtje ose të ndërtohet një mur që të ndajë të tashmen nga e kaluara e turbullt, nëqoftëse një shoqëri është serioze dhe dëshiron t’a distancojë veten nga tmerret e nacizmit dhe të komunizmit.
Profesori Tismeanu shkruan se, megjithëse regjimet totalitare të shekullit të kaluar identifikohen me emrat e Leninit, Hitlerit, Stalinit dhe adhurueseve të tyre komunistë anë e mbanë Europës dhe ndonëse këta ishin të pa moral dhe vrarës psikopatë, është e vështirë, thotë ai, të shpjegohet mbështetja ndaj këtyre diktatorëve, të cilët konsideroheshin si perëndi nga turma të mëdha të popullit. Është vështirë të shpjegohej, jo vetëm atëherë, por edhe sot, përkrahja që vihet re nga një numër nostalgjikësh, sidomos ndaj komunizmit dhe ndaj këtyre diktatorëve të mëdhej dhe atyre më të vegjël, si Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha. Për të kuptuar barbarizmin e këtyre dy regjimeve – komunizmit dhe nacizmit – profesori Tismeanu thotë se është e nevojshme, që sot të përballemi me teoritë dhe praktikën e këtyre regjimeve si dhe me mendimet dhe ideologjitë që frymëzuan një shkatërrim të tillë në masë, nga dy sisteme: komunizmi dhe nacizmi, njëri i të majtës ekstreme dhe tjetri i të djathtës ekstreme, por të cilët në fund të fundit, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta midis tyre.
Prandaj, debati aktual nëse Nexhmije Hoxha ishte anëtare e Partisë Fashiste, e Rinisë Fashiste apo e Partisë Komuniste, nuk ka asnjë rëndësi fare, pasi këto sisteme nuk dallohen shumë nga njëri-tjetri. Njëri sistem nuk ishte më i mirë se tjetri, përkundrazi, ata puqen me njëri-tjetrin për nga brutaliteti dhe për nga krimet kundër njerëzimit. Shoqja Nexhmije duket se e paska ndjerë veten rehat si në njërën ashtu edhe në tjetrën. Me rëndësi ka zhvillimi i një debati serioz se si të shkëputet Shqipëria dhe shqiptarët njëherë e mirë nga trashëgimia e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Kur do të marrë fund periudha e ashtuquajtur “post-komuniste”? Kur do të ndahet kjo klasë politike, qeveritë dhe autoritetet post-komuniste shqiptare të 25 viteve të fundit nga sjelljet autoritare të paraardhësve të tyre komunistë? Kur do të hapen dosjet, që e vërteta të dalë në dritë, që e bardha të ndahet nga e zeza, më në fund. Njëri nga deputetët socialistë shqiptarë u shpreh ditët e fundit se antifashizmi është një vlerë perëndimore, gjë që është e vërtetë. Por deputeti socialist dështoi të thonte njëkohësisht se edhe antikomunizmi është një vlerë perëndimore. Pa vlerat perëndimore antikomuniste dhe antifashiste dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, zor se ishte fituar lufta kundër fashizmit dhe komunizmit. Vlerat perëndimore nuk mund të pretendohen, duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Për hir të vlerave perëndimore, kemi nevojë për pak më shumë dritë nga ajo periudhë e errët, ju lutem!

Artikulli paraprakMerkel prezanton vizionet e CDU-së
Artikulli tjetërShpërthen një makinë në Tiranë