Përse vdesin shqiptarët? Sipas të dhënave të INSTAT një nga shkaqet më të frikshme të vdekjeve në Shqipëri vjen nga kequshqyerja. Niveli i lartë i pasigurisë ushqimore nga njëra anë dhe pamundësitë për t’u ushqyer shëndetshëm nga ana tjetër po vrasin përditë shqiptarët. E cilësuar si vrasësja e heshtur e shqiptarëve, pasigura ushqimore luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë dhe sëmundjet që prekin organizmin për shkak të produkteve të infektuara me baktere, viruse etj.
Sipas të dhënave të “Monitor.al” mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për shqiptarët. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë. Fermerët shqiptarë penalizohen me gati 100 milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat në BE.
Po sipas burimeve të INSTAT shihet se vitin e kaluar 299 persona humbën jetën nga diabeti dhe sëmundjet endokrine në krahasim 135 persona më 2015 me një rritje 122 për qind. Ministria e Shëndetësisë në një strategji të posaçme për administrimin e sektorit deri më 2020 argumenton se, në Shqipëri identifikohen tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë. Faktori i parë lidhet me rreziqet që vijnë nga dieta ushqimore. Faktori i dytë është hipertensioni arterial dhe i treti duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë.
Ministria e Shëndetësisë analizon se gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë.
Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit shqiptarët kanë pasur nivel të ulët të ardhurash. Për më tepër, shpërndarja e pabarabartë e rritjes ekonomike dhe e pasurisë ndërmjet rajoneve ka çuar në rritje të pabarazive në shëndetin e popullatës, veçanërisht midis asaj të zonave urbane e rurale. Këta përcaktorë, të kombinuar me mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe pagesat e mëdha nga xhepi për shërbimet shëndetësore, kanë cenuar shëndetin dhe cilësinë e jetës, veçanërisht për grupet vulnerabël si fëmijët, pensionistët, të pasiguruarit, etj.
Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale dhe në perspektivë afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare.
Diabeti dhe sëmundjet e tjera endokrine, të gjakut dhe uro-gjenitale (me bazë dietetikë, ushqyerja me ushqime jo të shëndetshme) kanë pësuar një rritje të shpejtë vitet e fundit.
Sëmundjet me origjinë nga ushqimet
Sëmundjet me origjinë nga ushqimet janë zakonisht me natyrë infektive ose toksike. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, ato shkaktohen nga bakteret, viruset, kërpudhat, prionet, parazitët ose substancat kimike që hyjnë në organizëm nëpërmjet ushqimit ose ujit të ndotur. Këto sëmundje akute me origjinë nga ushqimet (shpesh quhen helmim ushqimor) shkaktohen rëndom nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar nga bakteret, si për shembull, nga Salmonella, Campylobacter, Clostridiumperfringens, Staphylococcusaureus, Bacilluscereus ose Escherichia coli (E. coli), ose nga një virus, si për shembull, norovirus. Nëpërmjet ushqimit përhapen më shumë se 200 sëmundje të shkaktuara nga mikroorganizma (baktere, viruse, kërpudha, prione, parazitë), substancë kimike ose edhe agjentë fizikë. Simptomatologjia e këtyre sëmundjeve varion nga simptoma akute dhe/ose kronike, dhe nga diarreja në kancer. Në planin global, sëmundjet me origjinë nga ushqimi vrasin çdo vit 2 milionë njerëz, shumë prej të cilëve janë fëmijë. Në vitin 2013, pati më shumë se 310.000 raste të sëmundjeve me origjinë nga ushqimet të raportuara vetëm në Bashkimin Europian, të cilat sollën 322 vdekje. Çdo vit, në BE raportohen më shumë se 85.000 raste salmoneloze, me një kosto prej më shumë se 3 miliardë eurosh. Epidemia e Escherichia Coli enterohemorragjike e vitit 2011 në Gjermani dhe Francë, që lidhej me filizat e ndotura të bimës trigonellafoenum-graecum, çoi në 4000 raste në 16 vende, duke përfshirë 908 raste të sindromës së uremisë hemolitike, 55 vdekje, si dhe në humbje të vlerësuara prej 1,3 miliardë dollarësh për fermerët dhe industrinë.