Në çdo 100 aksidente humbën jetën 9 persona. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave mbi aksidentet tregojnë se pavarësisht se në tremujorin e parë të vitit ka pasur më shumë ngjarje aksidentesh numri i fataliteteve ka qenë më i ulët. Konkretisht në janar-mars kishte 315 aksidente ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i tyre ishte 263 me një raport prej 17.5 vdekje për çdo 100 aksidentet.
“Në muajin Mars 2024 numërohen 107 aksidente rrugore. Numri i të aksidentuarve
(të vrarë dhe të plagosur) rezulton 147 persona në muajin Mars 2024.
Gjatë tremujorit të parë 2024 vdekshmëria në aksidente rrugore është 9 për 100 aksidente, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 17,5 për 100 aksidente rrugore” raportoi INSTAT.
Po kështu të dhënat vijojnë të konfirmojmë se aksidentet rrugore, në 87,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 31,8 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
“Në muajin Mars 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Enjte dhe të Shtunë me 18,7%,
ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e Hënë dhe të Mërkurë me 7,5 %.
Në muajin Mars 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 14:00-17:00 dhe 19:00-24:00 duke zënë 23,4 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej” vlerëson INSTAT.