Vdes i sëmuri, 40 minuta i shtrirë në rrugë, nuk iu dha asnjë ndihmë

Një i sëmurë ka qendruar për afro 40 minuta i shtrirë në rrugë dhe askush nuk i ka dhënë ndihmën e duhur për ta transportuar në spital. Siç shihet edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, i sëmurë qendron i shtrirë në trotuar dhe mjekët e ambulancës vijnë vërdallë për shkaqe ende të panjohura dhe nuk e transportuan në spital. Më pas 58-vjeçari Leonard Tasho, ndërroi jetë në një rrugë të Tiranës. Dëshmitarët thanë se, në fillim ai kishte shenja jete, por për shkak të vonesës së ambulancës, ndërroi jetë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në unazë, pranë kryqëzimit tek “Farmacia nr.10” ose ndryshe 200 metra larg nga QSUT-ja. Policia përmes zëdhënësit tha se, “sapo është marrë njoftimi ka shkuar patrulla që ndodhej më pranë vendngjarjes”. Siç shihet në video, aty ka mbërritur një polic i Rrugores. Disa minuta më vonë, ka mbërritur edhe ambulanca e Urgjencës së Tiranës. Denoncuesi tha se, ambulanca ka vonuar 30 minuta. Për këtë, presim të marrin edhe një reagim nga Drejtoria e Urgjencave, që u tregua e gatshme të na mundësonte oraret e lëvizjes së ambulancës sipas GPS. Jo vetëm kaq. Janë dashur edhe 30 minuta të tjera që të mbërrinte ambulanca e morgut. Policia thotë se ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë. Pra, pritet ambulanca. Ambulanca e Urgjencës pret të mbërrijë Urgjenca e Morgut, kështu i sëmuri që ndërroi jetë qendron mbi 1 orë në rrugë.
Mësohet se 58-vjeçari vuante nga zemra dhe dyshohet se një atak i ka marrë jetën. Ky rast është denoncuar nga qytetarët që kanë parë skenën. Kjo nuk është hera e parë që ambulanca denoncohet për vonesa. Kjo, gjithashtu nuk është hera e parë që mungesa e koordinimit e ka bërë jo funksional sistemin e ndihmës së shpejtë në vendin tonë.
Ajo ç’ka vihet re në të tilla raste, është se institucionet thjesht kërkojnë të shfajësohen duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Asnjë masë nuk merret, për pasojë qytetarët humbin jetën edhe kur ndodhen vetëm 200 metra larg spitalit.

Artikulli paraprakProkuroria: Nën hetim motra e Lul Berishës, pastroi miliona dollarë
Artikulli tjetërKush janë vrasësit dhe grabitësit e bankave që shoqërojnë Tahirin