Një vajzë 18 vjeçe nga Gramshi ka humbur jetën pas një operacioni të bërë në Spitalin e Elbasanit. Familjarët kanë akuzuar mjeken që bëri operacionin dhe për këtë arsye kanë nisur hetimet ndaj saj. Sipas burimeve, fillimisht vajza është paraqitur në spital me dhimbje barku, ç’ka ka bërë që mjekët të dyshojnë për probleme gjinekologjike.
Pas kryerjes së ekos, mjekët kanë pikasur ujëra të tepërta në trupin e vajzës, duke bërë që të nisin menjëherë ndërhyrjen, prej nga ka rezultuar se pankreasi dhe mëlçia e 18-vjeçares kanë qenë në gjendje të degraduar. Në pritje të rezultateve të autopsisë, dyshimet janë se vajza ka pasur diagnozën e tromboembolisë. Sipas burimeve nga spitali, e reja është operuar në orën 12:30 të datës 8 korrik, ndërsa ka ndërruar jetë në orën 20:00 të po asaj dite.
Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko-ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes, ndërsa mjekja po hetohet në gjendje të lirë për “Mjekim të pakujdesshëm”.
Dy ditë më parë, Ketjona Ibrahimi nga qyteti i Grmashit shkoi me këmbët e veta në sallën e operacionit, por fill pas tij ajo ndërroi jetë pas disa komplikacionesh, siç thonë familjarët e saj. Këta të fundit hodhën akuza të forta mbi mjeken kirurge që e operoi në Elbasan, ndërsa një i afërm i Ketjonës tha se ende nuk e kanë marrë vesh nga se vuante kushërira e tij. Sipas tij, më 8 korrik rreth orës 3:00 të natës e reja është zgjuar me dhimbje të forta barku, të vjella dhe gjakderdhje.
Të alarmuar i janë drejtuar Spitalit të Gramshit, por duke qenë se gjendja e së resë paraqitej e rëndë, ajo është dërguar me urgjencë në Elbasan. “Atje nuk na dhanë shpjegime, i bënë vetëm qetësues dhe analizat, pastaj e futën me urgjencë në operacion. Rreth orës 7:00 të mëngjesit morëm vesh lajmin e hidhur”, u shpreh ai. Për të zbuluar shkaqet e vdekjes, grupi hetimor i ngritur për këtë rast po pret konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore.
Oficerët e Komisariatit të Policisë Elbasan dërguan në Prokurori për procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “mjekimi i pakujdesshëm”. Policia e Elbasanit bën me dije se ka nisur procedimin penal për mjeken me iniciale J.K, 43 vjeçe, e cila ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale më datë 8 korrik tek pacientja me iniciale K.I nga Gramshi. Policia bën me dije se vajza ka ndërruar jetë pak pas operacionit.