Vdes studenti amerikan i kthyer nga Koreja e Veriut

Është ndarë nga jeta Otto Warmbier, studenti amerikan, i cili u mbajt i arrestuar në Korenë e Veriut për gati një vit e gjysmë. Njoftimin e dha familja e tij të hënën pasdite.
Warmbier u kthye në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar në gjendje kome. Mjekët në qytetin e tij Sinsinati të Ohajos thanë se 22-vjeçari kishte pësuar dëmtime të rënda në tru kur mbahej në Korenë e Veriut, por nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi komën.
“Është detyra jonë e trishtuar të raportojmë se djali ynë, Otto Warmbier, e ka përfunduar udhëtimin e tij për në shtëpi”, tha familja e tij në një deklaratë. “Keqtrajtimi i tmerrshëm, të cilit djali ynë iu nënshtrua në duart e koreanoveriorëve bëri që ky të ishte rezultati i vetëm i mundshëm”, tha familja.
Koreja e Veriut tha se Warmbier ra në komë shumë shpejt pasi u dënua në mars të vitit të kaluar nën akuzën se kishte vjedhur një poster politik nga një hotel i Koresë së Veriut.
Por familja Warmbier e ka vënë në dyshim këtë pohim, duke thënë se ishte regjimi i izoluar i Penianit që e “brutalizoi” djalin e tyre.

Artikulli paraprakEkonomia gjermane dhe zgjedhjet
Artikulli tjetërMacron merr mandatin për reforma të thella