Vdiq në mënyrë të mistershme në spitalin në Paris, raportet sekrete të drejtorit të klinikës speciale: Hysni Kapo kaloi një infarkt të miokardit dhe sëmundja u zhvillua, por në gusht, kur u lejua të shkonte në Vlorë…

Nga Dashnor KALOÇI/ Më 23 shtator të vitit 1979, 45 vite më parë, ndërroi jetë në një klinikë mjekësore të Parisit, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, i cili që nga mesi i viteve ’50-të, (kur Enver Hoxha eliminoi fizikisht apo, burgosi e internoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë), konsiderohej figura nr. 2 e regjimit komunist, pas Enver Hoxhës. Hysni Kapo, apo “Besniku i Partisë”, siç i pëlqente Enverit ta quante në librat dhe veprat e tij, (kryesisht pas vdekjes) , në shtatorin e vitit 1979,  ishte i shtruar për vizita e mjekime në klinikën e Parisit, shoqërohej nga Ramiz Alia, ndërsa një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 1978, kur ai ishte po për vizita dhe mjekime në Paris, e shoqëronte Kadri Hazbiu. Vdekja e Hysni Kapos, ishte e dyta që ndodhte në radhët e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, (pas asaj të Gogo Nushit në 1970-ën), dhe ajo vdekje është përfolur gjatë, madje që ato ditë, kur Vito Kapo, bashkëshortja e tij, i tha ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut: “…Na e vranë Hysninë…”?! Dhe Hazbiu aty për aty, iu përgjigj: “Pse më thua mua…, drejtoju atij”, – duke i bërë shenjë me dorë, nga vila e Enver Hoxhës.

hysni kapo enver hoxha vdekje varrim

Ky fakt, apo kjo dëshmi lidhur me bisedën e Vito Kapos me Kadri Hazbiun, është bërë e ditur publikisht, nga ish-kuadri i lartë i Zbulimit Shqiptar, Hasan Luçi (që mbulonte mërgatën politike shqiptare në Perëndim), në një intervistë (në fillimin e viteve 2000, në “Gazeta Shqiptare”), ku ai ka hedhur dyshimet e tij, se vdekja e Hysni Kapos, nuk ishte natyrale, nga ajo që u tha zyrtarisht, “kanceri në pankreas”! Nuk dihet me saktësi, nëse Vito Kapo, e kishte biseduar me njeri tjetër, atë që i tha Kadri Hazbiut, por dy tre ditë më pas, ajo u thirr në një takim nga Enver Hoxha, ku ai, (Enveri), pas i bëri të ditur edhe njëherë Vitos, variantin zyrtar të vdekjes së Hysniut, i kërkoi që; “të kishte besim te Partia” dhe; “të mos besonte fjalët që përhapte armiku”! Pra; “të mos kishte asnjë dyshim për vdekjen e Hysniut, për të cilën Partia bëri të pamundurën”!

Takimin që bëri me Vito Kapon, Enveri e ngriti dhe në një mbledhje të Byrosë Politike, duke u bërë me dije “shokëve të Byrosë”, “lidhur me fjalët që përhapte armiku për Hysninë, gjë të cilat fatkeqësisht, i merrnin si të mirëqena, edhe familjarët e tij, madje deri te shoqja Vito”! Po kështu, dyshime, apo rezerva, mbi vdekjen e Hysni Kapos, kanë hedhur edhe disa nga pjesëtarët e grupit të tij të shoqërimit, që gjendeshin në Paris. Dyshimet e tyre, ata i kanë dhënë me shkrim dhe me gojë, pranë grupit operativ special që kryesohej nga Zylyftar Ramizi, (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë), i cili u ngrit në vitin 1982, menjëherë pas arrestimit të “Grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Si p.sh., Nexhip Pajo, shoqëruesi i Hysni Kapos, i cili në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, më datën 29 tetor 1982, midis të tjerash i shkruan: “Jam Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së Dytë të Ministrinë së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në vitin 1979, kur shoku Hysni Kapo ishte në Paris (Francë) për t’u kuruar, unë bëja pjesë në grupin e oficerëve shoqërues të tij.

Mbas vdekjes së tij, kur u kthyem që andej, unë kam informuar në Komitetin e Partisë së Ministrisë, ish-sekretarin e atij Komiteti, Bato Karafili, për disa të meta dhe veprime të dënueshme në drejtim të shërbimit ndaj udhëheqësit Hysni Kapo dhe familjes së tij, që ndodhej atje në Paris, nga ana e ish-zv/drejtorit të Drejtorisë së Dytë, për shërbimin tonë atje, Servet Backa, të Fejzo Bijos, zv/drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, të Llambi Ziçishtit, përgjegjës për Shëndetësinë. Ditën e fundit të konkluzioneve që do të bënim në zyrën e Feçor Shehut, mua më ka marrë në telefon nga shtëpia e shokut Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, i cili më kishte kërkuar me urgjencë, duke lënë porosi të personeli i shtëpisë, që unë ta merrja në telefon. Me të më njoftuar, unë e mora Kadriun në telefon dhe ai menjëherë, m’u drejtua: “Dëgjo, sot ju keni atë mbledhjen e fundit, lidhur me shërbimin tuaj në Paris, prandaj ki kujdes dhe tregohu më i arsyeshëm dhe më me partishmëri, për ato që ke ngritur, sepse i ke fryrë shumë dhe në mënyrë tendencioze”.

Atëhere iu përgjigja po në telefon: – Nga i keni verifikuar këto, që nuk qenkan të vërteta? “Unë i di mirë këto, e njoh shumë mirë Servet Backën, se ai është komunist i ndershëm dhe i sprovuar dhe nga ana tjetër, ai i biri i botës (d.m.th., Serveti), është bërë si i çmendur dhe vjen e më qan në zyrë si fëmijë”, – m’u përgjigj ai. – Do të ishte mirë që ai të mos qante aty në zyrën tënde, por të qante atje në Paris, ku qanim të gjithë ne, për fatkeqësinë që na kishte gjetur, por ne atje qanim dhe pinim lot, ndërsa Servet Backa, Feçor Shehu, Fejzo Bijo dhe Llambi Ziçishti, pinin raki dhe hanin bërxolla”.

Të gjitha sa më sipër, (si dhe letra e Nexhpip Pajos që është botuar e plotë nga Memorie.al), apo të tjera dëshmi ku flitet apo bëhet e ditur mbi vdekjen e Hysni Kapos, janë të njohura nga dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, (që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, aparati dhe organet drejtuese), të cilat janë botuar në shtyp, pas viteve ’90-të dhe ndër të vetmet gjëra që nuk janë bërë publike deri më sot, janë letra e Kadri Hazbiut drejtuar Enver Hoxhës, (25 faqe me makinë shkrimi), për shërbimin që kishte bërë në Paris pranë Hysni Kapos, si dhe dosja voluminoze me kartelën përkatëse mjekësore të Hysni Kapos, e konsideruar dhe cikluar, si; “Tepër sekret, e një rëndësia të veçantë” e cila fillon në 16 maj të vitit 1959 dhe mbyllet më 23 shtator 1979, ditën që ai vdiq.

Ndërsa letra e Kadri Hazbiut, dërguar Enver Hoxhës në janarin e vitit 1979, pas kthimit nga Franca bashkë me Hysni Kapon (në fund të saj, midis të tjerash ai ka shkruar: “Disa gjëra nga shërbimi im në Francë, me urdhër epror, nuk i kam pasqyruar në këtë raport-informacion…”!), thuhet se nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, Memorie.al, ka siguruar dhe e disponon të plotë (në frëngjisht dhe në shqip), dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të cilën po e publikojmë pjesërisht, në disa numra, bashkë me faksimilet përkatëse, ku ndodhen kartela dhe raporte mjekësore, nga mjekë shqiptarë dhe të huaj, shënime të ndryshme, epi-kriza, elektrokardiogram, rezultate dhe përgjigje analizash, konsulta mjekësh, etj., etj.

Po ashtu, aty ndodhen dhe shënimet e Enver Hoxhës, të cilat po i publikojmë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, si ato të bërë në Paris, ashtu dhe ato të bëra në aeroportin e Rinasit, kur u soll arkivoli me trupin e tij, si dhe varrimin e tij, ku mori pjesë Enver Hoxha dhe e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së.

RAPORT-INFORMACIONET E MINISTRIT TË SHËNDETËSISË, LLAMBI ZIÇISHTI, TË VITIT 1978, MBI GJENDJEN E RËNDË SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET E MJEKËVE, PËR KURAT DHE DIETËN 

                                                           INFORMACION

     Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Nga të dhënat e konsultës mjekësore të datës 26.6.1978, nga ora 8.00. Gjatë 24 orëve të fundit, gjendja e pacientit ka qenë e qëndrueshme. Ka pasur vetëm një orë temperaturë 37.5, gjatë natës. Janë regjistruar vetëm 6 ekstrasistola.

Tensioni arterial dhe pulsi, janë mbajtur në shifrat e djeshme. Në ekzaminimin elektrokardiografik, reparti mbetet njësoj si ai i djeshmi. Si konkluzion mendojmë, se në krahasim me 24 orët e kaluara, gjendja mbetet e qëndrueshme.

Tiranë                                                                                          MINISTRI I SHËNDETËSISË

26.6.1978                                                                                     Llambi Ziçishti

                                                            INFORMACION

                                        Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjendja e pacientit gjatë 24 orëshit që kaloi, ka qenë si vijon:

Gjatë gjithë ditës, ka qenë pa temperaturë, ndërsa prej orës 22.00, temperatura u ngjit deri në 38 gradë dhe vazhdoi deri në orën 2.00, të datës 27.6.1978.

Tensioni arterial, ka qenë 120/70 mmhg, dhe në këto shifra, është dhe sot në mëngjes.

Pulsi është luhatur, nga 104, gjatë orëve me temperature, në 86, në orët e tjera.

Elektro kardiograma e sotme, tregon evolucionin e zakonshëm të infarktit.

Gjatë ditës së djeshme, pati një thellim të insuficiencës kardiake, të cilat sot janë tërhequr.

Tiranë                                                                                  MINISTRI I SHËNDETËSISË

27.8.1978                                                                                 Llambi Ziçishti

                                                  INFORMACION

                   Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjendja e përgjithshme është stacionare. Gjatë natës ka qenë relativisht i qetë, ka fjetur me ndërprerje, nuk ka pasur dhembje. Temperatura ka arritur deri në 37.7, pulsi është luhatur nga 86, në 104 (në kohën e gjendjes febrile).

Frekuenca e frymëmarrjes ka ndryshuar, nga 22 – 28 herë, në minutë. Tensioni arterial, është ruajtur në shifra normale, 120/70 mmhg. Sot i sëmuri është afebril. Në mbrëmjen e datës 27.6.1978, u dëgjuan disa rale staze në mushkri. Sot ato, nuk konstatohen më.

Megjithatë konsulta mendon, se në potencë është e pranishme një gradë e lehtë e insuficiencës kardiake, e cila nuk ka nevojë për masa të veçanta. Në regjistrimin elektrokardiografik, të bërë sot, konfirmohet edhe interesimi i murit inferior, që është dyshuar që në ditët e para të sëmundjes. Por nuk është fjala për një nekrozë të re, të kësaj zone.

Bilanci hidrik, është normal. Leukocitoza, paraqet tendencë drejt normalizimit. Si konkluzion, konsulta është e mendimit se kjo gjendje e qëndrueshme, është e favorshme në drejtim të ecurisë klinike të pacientit.

 Tiranë                                                                                           MINISTRI I SHËNDETËSISË 

28.6.1978                                                                                          Llambi Ziçishti       

                                                          INFORMACION

                                 Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjendja e përgjithshme e pacientit, sot konsiderohet e kënaqshme.

Dje mbas dite, ka pasur dhimbje të lehta koke. Gjatë 24 orëve të fundit, ka qenë pa temperaturë.

Frekuenca e pulsit, është luhatur 80-90, në minutë. Tensioni arterial, mbahet në shifrat 120/70 mmhg.

Frymëmarrja, ka qenë 23-24 në minutë.

Ekzaminimi klinik në zemër, nuk vë në dukje ndonjë ndryshim të ri. Në mushkri, respiracioni normal pa rale.

Bilanci hidrik, është normal.

Elektro kardiograma, pa ndryshime nga dita e djeshme.

Analiza laboratorike transaminazat dhe leukocitoza, tregojnë një përmirësim, në krahasim me analizat e tjera të fundit.

Konkluzion: Konsulta mjekësore është e mendimit se gjendja e përgjithshme e pacientit gjatë 24 orëve të fundit, është e kënaqshme.

 Tiranë                                                                                       MINISTRI I SHËNDETËSISË

29.8.1978                                                                                        Llambi Ziçishti

                                                            INFORMACION

                             Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjendja e pacientit vazhdon të jetë si dje.

Gjatë natës pati ngritje të temperaturës, 37.7, e cila zgjati 2-3 orë dhe u normalizua pas marrjes së cibalginës.

Të gjithë treguesit e tjerë klinikë dhe para-klinikë, mbeten njëlloj si ato të djeshmet.

Konsulta mjekësore është e mendimit, se sëmundja po ndjek ecurinë e saj të zakonshme.

Tiranë                                                                                         MINISTRI I SHËNDETËSISË

30.8.1978                                                                                         Llambi Ziçishti         

                                                          INFORMACION

                                    Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjatë 24 orëve, gjendja ka qenë e kënaqshme. Pacienti ka fjetur gjatë natës, i qetë. Ka qenë pa temperaturë. Pulsi ka qenë, 80-90, në minutë. Tensioni arterial, 120/70 mmhg, respiracioni 22-23, në minutë. Nuk vihet re asnjë komunikacion, deri më sot. Elektro kardiograma, është në gjendje stacionare, me ndryshimet që ka pasur këto ditët e fundit.

                               MINISTRI I SHËNDETËSISË

                                Llambi Ziçishti

RAPORT-INFORMACIONI I DREJTORIT TË KLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, I DATËS 27 SHTATOR 1978, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET E EKIPIT MJEKËSOR

                                                               RAPORT-MJEKËSOR

                                               Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Konsulta mjekësore e mbledhur në datë 27.9.1978, duke vlerësuar gjendjen e shokut Hysni Kapo, del në këto konkluzione:

Shoku Hysni Kapo, në datën 22 Qershor të këtij viti, bëri një infarkt të gjerë të miokardit, me shtrirje anteriore dhe posteriore. Dekursi i sëmundjes u zhvillua, pa komunikacione madhore. Periudha një mujore e sëmundjes, u kalua në kushte stacionare në shtëpi.

Në fund të Korrikut, filloi periudhën e konvaleshencës në Durrës, gjatë së cilës u vazhdua rehabilitimi i tij gradual, i mëtejshëm.

Në fund të Gushtit, u lejua të bëjë një udhëtim deri në Vlorë, ku qëndroi një muaj. Treguesit klinikë dhe para-klinikë të sëmundjes gjatë kësaj periudhe konvaleshence, shkuan drejt stabilizimit të vazhdueshëm. Të dhënat subjektive, kanë qenë të mira.

Diabeti ka qenë i ekuilibruar mirë, por elektro kardiograma, nuk është normalizuar akoma plotësisht. Theksojmë se në datën 23 Shtator, u shfaq një aritmi ekstrasistolike ventrikulare e cila, i zgjati 20 orë, dhe u dominua plotësisht, me mjekimin e përshtatshëm.

Duke pasur parasysh sëmundjen që kaloi, dhe faktorët e tjerë riskanë, si; diabetin, koronarosklerozën, si dhe aritminë, që u shfaq në periudhë qetësie, mendojmë që i sëmuri të mbahet nën mbikëqyrje mjekësore të afërt, të fillojë punën nga data 1 Tetor, me orar të reduktuar, 2 orë në ditë, për 3 muaj, dhe pas këtij afati, të rivlerësohet mundësia e zgjatjes graduale të kohës së punës.

Pacienti duhet të mënjanojë gjatë kësaj periudhe, të gjitha lodhjet fizike, sipas rekomandimeve të konsultës mjekësore.

 Tiranë                                                                                                DREJTORI I KLINIKËS

28.9.1978                                                                                              Dr. Pavllo Milo

RAPORT-INFORMACIONET E MINISTRIT TË SHËNDETËSISË, LLAMBI ZIÇISHTI, NË MUAJIN NËNTOR 1978, MBI GJENDJEN E RËNDË SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS

                                                             INFORMACION

Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Gjatë ditës së sotme nga ora 10.00 deri në orën 17.00 pacienti ka pasur katër kriza onginoze (stenokardie). Regjistrimet e fundit elektrokardiografike, evidentojnë një mikroinfarkt në murin diafragmal, i cili me gjithë mjekimin intensiv, ka tendencë për shtrirje. Ndërlikime deri tani nuk ka, por gjendja mbetet kërcënuese.

        Tiranë

    17.11.1978                                                                                Llambi Ziçishti 

                                                                 INFORMACION

                                           Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo

Sot pasdite u rishfaqën dhimbjet stenokardike të zgjatura. Në ekzaminimin elektrokardiografik, të orës 17.50, u konstatua se ndryshimet janë bërë më të thella dhe se infarkti ka përfshirë tërë trashësinë e murit të pasëm të zemrës.

Në auskultim, kanë filluar të evidentohen gjithashtu shenja staze, që flasin për fillimin e një insuficense kardiake. Gjendja është më e rëndë nga ditët e tjera, megjithëse pulsi, tensioni arterial, dhe frymëmarrja, mbeten në kufijtë e normës. Memorie.al

Artikulli paraprakNjë botë në kaos, ka urgjentisht nevojë për një OKB të reformuar
Artikulli tjetërDW/ “Rishikoni ligjin për investitorët strategjikë”- Ambasadori Silvio Gonzato: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, pengesat që duhet të kapërcejë Shqipëria para se të hyjë në BE