Veliaj, 2.5 milionë euro pisha për zbukurim

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar projektvendimin për zëvendësimin e palmave me pisha të buta përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Vendimi kaloi me 31 vota pro të mazhorancës, ndërsa këshilltarët e PD u larguan nga mbledhja para se të niste votimi i rendit të ditës. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se, palmat e thara do të zëvendësohen me mbjelljen e pishave të buta, pasi ky aks është i rëndësishëm dhe nuk mund të lihet në baltë. Por anëtarët e LSI u shprehën se, ky projekt që kushton 2,5 milionë euro duhet të shkonte për punë më të rëndësishme në kryeqytet. “Këto palma u thanë se janë blerë në Dubai dhe nuk janë palma mesdhetare. Pse duhet të përdoret buxheti i Bashkisë për këto pisha, kur mund të përdoret për punë më të rëndësishme”, u shpreh Mirela Bogdani. Në përgjigje të këtij shqetësimi, u përgjigj nënkryetari, Arbjan Mazniku sipas të cilit “Është një zonë që i përket Tiranës dhe është e rëndësishme. Pisha ka më pak nevojë për kujdes dhe ne gjykojmë që hyrja e qytetit nuk duhet të lihet në baltë”. Nga ana e tyre këshilltarët e LSI kundërshtuan projektin, ndërsa theksuan se lista e problemeve që kanë qytetarët e Tiranës është shumë e gjatë dhe me këto para mund të zgjidhen probleme të tjera në vend të dekorimeve të qytetit. “Duhet parë nëse ja vlen investimi për të mbjellë pisha të buta. 2.5 milionë euro për pisha mendojmë se janë shumë dhe duhet të investohen për gjëra më të rëndësishme që ka nevojë qyteti”.
Bashkia e Tiranës planifikon që të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat me pisha në segmentin e autostradës Tiranë-Durrës, nga mbikalimi i Kamzës tek ai i Kasharit. Vendimi është bërë i ditur në relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakontë, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion. Për këtë arsye, propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin. Duke qenë se periudha më e mirë për mbjelljen e pishës së butë është muaji dhjetor, kërkohet përfshirja në buxhet e këtij investimi. Për ujitje propozohet sistemi ujitës artificial në formë shiu. Bashkia ka bërë riplanifikim, duke reduktuar fondet për disa artikuj ku është vënë re zbatim i ulët i planit të investimeve, si psh ato të pastrimit. Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-ën, 117 milionë lekë në 2018-ën dhe 150 milionë lekë në 2019-ën. Në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit, Bashkia ka miratuar edhe rishpërndarjen e fondit të investimeve brenda programit të menaxhimit të rrugëve dhe programit të kujdesit social për vitin 2017, si dhe detajimin e fondeve shtesë të transfertës specifike brenda programit të arsimit parauniversitar dhe edukimit për vitin 2017. Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzës dhe i Kasharit deri në Aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportua në atë kohë në rreth 1 milion euro. Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit, palmat u rigjallëruan me ardhjen e pranverës, në zonën e autostradës ato mbetën të thara me pak përjashtime. Ato u shkulën dhe dje Bashkia sapo akordoi një dyfishim të fondit të akorduar më parë për zëvendësimin e palmave me pisha.

Artikulli paraprakJa pse Messi e nisi nga stoli
Artikulli tjetërPolicia, organizatë kriminale Basha paralajmëron Ramën