Pesë ditë pas largimit si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafa duket se ka nisur një punë të re. Veliaj e ka “punësuar” për ti bërë furça atij në publik në një kohë që ka shpalosur edhe aleancën Xhafa-Veliaj, e cila duket se do të funksionojë edhe si një aleancë anti-Ramë brenda PS.
Ish-ministri Fatmir Xhafaj ka dalë sot për herë të parë në publik pas largimit të tij nga ministria e brendshme në një aktivitet të Bashkisë së Tiranës, ku nuk i kurseu lavdet për Erion Veliaj, duke kërkuar një mandat të dytë për kryebashkiakun.
Xhafaj tha se ka njerëz që vijnë në pushtet dhe janë të lumtur me karriget e tyre dhe ka të tjerë se e shohin politikën si mision, siç është rasti i Erion Veliajt. Xhafaj nuk i ka fshehur as emocionet në këtë dalje të tij, teksa hera-herës shihej duke fërkuar duart.
“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur që kanë kapur një karrige. Ka njerëz që marrin një pushtet dhe janë të lumtur që marrin një pushtet. Ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision dhe që duan të lënë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti, dhe ky është Erion Velijan. Puna e tij është treguesi më i mirë për këdo.
Në atë kohë mua dhe Blerinës na është dashur që të flisnim se kush është Erion Veliaj, sot është puna dhe rezultatet ato që janë treguesi më i mirë për këdo”, është shprehur Xhafaj.
Kujtojmë se pas dhënies së dorëheqjes ditën e shtunë nga Fatmir Xhafaj ka pasur shumë pikëpyetje për këtë vendim të marrë, pasi ish-ministri nuk kishte dhënë më herët asnjë sinjal largimi. Madje madje pak ditë më parë ai bëri një paralajmërim të fortë, teksa thoshte se koha e të fortëve kishte marrë fund.