Nga Fatjona Mejdini
Një nga argumentet që po përdoren më shumë kundër SPAK në çështjen Veliaj është masa e sigurimit. Pse Veliaj po hetohet pas hekurave dhe jo në gjendje të lirë? Pse Tiranës iu hoq koka nga shpatullat dhe u lanë punët përgjysmë, pa drejtim, në nisje të fushatës?
Në fakt, Veliaj e zgjodhi vetë këtë rrugë. Prej disa vitesh, skandalet korruptive të Bashkisë së Tiranës kishin nisur të dilnin në sipërfaqe, duke kulmuar me skemën grandioze korruptive 5D, e cila zhvillohej prej vitesh në instancat më të larta në zemër të Bashkisë. Kjo përkoi me hetimet e tjera ndaj tij dhe familjes së tij. Ky rast ishte një mundësi e mirë për Veliajn që të jepte dorëheqjen, t’i jepte mundësinë Bashkisë të riorganizohej, pa ia thyer shpinën nga pesha që i kishin vendosur zyrtarët e saj. Si rrjedhojë, sot ai mbase do të kishte mundësinë të paraqitej në SPAK me avokatët dy herë në muaj dhe të mbrohej ndaj akuzave me durim.
Por ai zgjodhi rrugën tjetër, atë që zgjedhin ata që ai pretendonte se i përçmonte. Zgjodhi të mbahej fort pas karriges dhe pushtetit të Bashkisë, me te madhe ne vend. Ai vendosi të luante politikën e madhe, duke vazhduar të shfaqej triumfues në televizione, neglizhent ndaj halleve të qytetarëve dhe kërcënues ndaj hetuesve. Ai kërkoi të përcillte mesazhin se qëndronte mbi gravitetin ligjor dhe se shkeljet e ligjit mund të mbuloheshin me një furçë, njëjtë si fasadat e vjetëruara të Tiranës. Mesa duket, llogaritë i dolën gabim dhe tani i mbetet ta përjetojë me dinjitet atë rrugë që zgjodhi vetë.