Veliaj hakmerret ndaj inspektorit që denoncoi falsifikimin e gjobës

Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës qytetare të 8 dhjetorit, është hakmarrë ndaj inspektorit të Policisë Bashkiake Besmir Karaj, duke e larguar nga puna. Karaj pati integritetin dhe kurajon që ta denonconte publikisht se firma e gjobës nuk ishte e tij, se ishte falsifikuar. Për këtë ai bëri dhe një kallëzim penal në Prokurori më 10 dhjetor. Falsifikimi i dokumenteve është një vepër e rëndë penale, mirëpo nga 10 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, prokurori i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje. Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi, mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim, ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor ndonëse mediat raportuan se edhe Laboratori Shkencor i Policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia. Partia Demokratike i kërkoi dje këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji. Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, anëtarja e Këshillit Bashkiak, Reila Bozdo denoncoi ashpër dje zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi, si dhe moszbatimin e ligjit nga ana e prokurorit Ardian Dyrmishi. “Ja ku kemi mbërritur me Edi Ramën, me shtetin e tij të korruptuar e kriminal. Denoncuesi i krimit, i falsifikimit, inspektori i policis1ë bashkiake Karaj që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë, ndërsa autori i krimit, falsifikatori, Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë. Kjo është oligarkia kriminale e Edi Ramës ku ndëshkohet denoncuesi dhe mbrohet shkelësi i ligjit, falsifikatori, gënjeshtari Veliaj”, tha Bozdo për mediat.

Falsifikimi i gjobës

Ekspertët e Laboratorit Kriminalistik kanë vërtetuar se gjoba e Bashkisë së Tiranës për dëmet që sipas saj shkaktoi PD në protestën e 8 dhjetorit është e falsifikuar. Rezultatet e ekspertizës konfirmuan se fleta që mban firmën e inspektorit Besmir Karaj nuk ishte plotësuar prej tij, por nga dikush tjetër. Përfundimet e ekspertizës së Laboratorit Kriminalistik vërtetuan se autori i falsifikimit të gjobës ishte Erion Veliaj. Prokuroria do të duhet ta ndiqte penalisht këtë falsifikator në krye të Bashkisë së Tiranës dhe gjykata ta dënonte sipas ligjit që parashikon deri 7 vite burg. Ligjërisht, në bazë të Kodit Penal, Erion Veliaj, i cili i doli për zot kësaj gjobe, rrezikon deri në 7 vjet burg për falsifikim. Konkretisht neni 186 për falsifikimin e dokumenteve citon se: “Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë”. Ishte vetë inspektori i Policisë Bashkiake, Besmir Karaj, i cili paditi Bashkinë Tiranë për falsifikimin e firmës së tij në gjobën që Bashkia e Tiranës i vuri PD-së për protestën e datës 8 dhjetor 2015. Pa dijeninë e tij, në një inskenim të vetë Veliajt përmes drejtoreshës së tij të kabinetit, inspektorit Karaj i është marrë blloku dhe pa dijeninë e tij është plotësuar një fletë ku gjobitej Partia Demokratike.

Kallëzimi në Prokurori

Më 10 dhjetor 2015, Besmir Karaj qëndroi më shumë se dy orë në Prokurorinë e Tiranës ku denoncoi falsifikimin e firmës së tij në gjobën që Bashkia e Tiranës i vuri PD-së për protestën e datës 8 dhjetor. Ai e ka bërë kallëzimin gojarisht para një oficeri të Policisë Gjyqësore. Efektivi është shprehur se nuk ka qenë në shërbim ditën që është hartuar gjoba, por nuk ka bërë të ditur emrin e zyrtarit të Bashkisë që ka kallëzuar. “Gjobën e pashë në rrjetet sociale, nuk kam qenë në punë. Blloku i gjobave m’u kërkua nga eprori dhe më pas e mori shefja e kabinetit. Shkrimi dhe firma në gjobën e PD-së nuk janë të miat. Më thanë se gjobën e vendosën për shou mediatik”, është shprehur Karaj. Sapo është njohur me gjobën ai është interesuar menjëherë në Bashki. Kur ka pyetur se përse ishte vënë firma e tij në fletën e gjobës, eprorët i kanë thënë: E bëmë për show mediatik. “Më thanë se gjobën e vunë për show mediatik. Blloku i gjobave m’u kërkua nga eprori im. Më pas atë e mori shefja e kabinetit”, ka rrëfyer ai në Prokurori. Plani për të bërë zhurmë ka qenë jo pak i menduar nga vartësit e Erion Veliajt. Gjoba e Bashkisë është 163 milionë lekë. Por shuma e saktë nuk është ajo. Nëse mblidhen të gjitha vlerat e gjobave, ato arrijnë në 193 milionë lekë. Bashkia pretendon se gjatë protestës ka numëruar edhe numrat e personave që kanë urinuar, sipas të cilës, ata kanë qenë 85 vetë. Ajo pretendon gjithashtu se ka peshuar edhe mbetjet urbane të lëna nga protestuesit, që rezultojnë në disa tonë.

Arben Shahini

Exit mobile version